AHMET HAXHIU ATDHETAR I DEVOTSHËM

06 korrik 2024 | 17:53

Më 06.07.1994, vendlindja e simbolit të rezistencës sonë kombëtare Adem Demaçit dhe dëshmores së popullit Ylfete Humollit, kishte ditë zie!

Një kolonë e gjatë dhe e pafund automjetesh që erdhi nga Prishtina, i solli Lupçit të Ulët, trupin e pa jetë të birit të tij; i solli trupin e Ahmet Haxhiut që për vite të tëra ishte kalbur burgjeve të ish-Jugosllavisë titiste; i solli trupin e Ahmet Haxhiut që për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, kishte bërë gjithçka dhe çdo gjë që kishte qenë e mundur të bëhej!

Për t`ia bërë përcjelljen e fundit Ahmet Haxhiut këtij biri të madh e të devotshëm ndaj çështjes së lartë të popullit dhe Atdheut e veprimtarit aktiv e besnik të LËVIZJES POPULLORE TË KOSOVËS, kishin ardhur qindra qytetarë nga Republika e Kosovës dhe viset e saj!

I fundit nga Ahmet Haxhiu u nda bashkveprimtari i tij Adem Demaçi.
Adem Demaçi në mes tjerash tha se :

‘’…Po ndahemi nga vëllau ynë Ahmet Haxhiu, që edhe pse vdekja e babait (që ia kishin vrarë armiqt), e gjeti në moshë të re, e detyroi të merrte mbi supe barrën e rëndë të mbikqyrjes së familjes, por nuk e theu dot dhe nuk mundi ta pengonte që të mos merrej me çështjen kombëtare. Ahmet Haxhiu,- vazhdoi më tej Adem Demaçi,- ishte në mesin e atyre bijëve që interesin e përgjithshëm e kishin vënë mbi atë personal. Kapitullin e filluar të luftëtarit për lirinë e Atdheut, Ahmet Haxhiu e mbylli me faqe të bardhë, përfundoi Baca Adem…’’.

Pjesmarrja në varrimin e Ahmet Haxhiut nuk ishte masive ashtu siç jemi mësuar të shohim skena madhështore e impozante, atëherë kur luftëtarët bienin drejpërdrejt në fushë të mejdanit, edhe pse një nderim të tillë e meritonte Ahmeti pa kurrfar dyshimi!

Por ata pjesmarrës që ishin aty, me plot kuptimin e fjalës mund të thuhet se ishin njerëzit më kompetent, mbi supet dhe nën drejtimin e të cilëve, është zhvilluar dhe zhvillohet tërë lufta për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut!

Një përcjellje të këtillë lamtumirëse e me një përbërje të tillë kualitative të pjesëmarrësve të varrimit, e meritonte Ahmet Haxhiu, që në përbërje të delegacionit të LPK-së, ishte pritur në takim zyrtar nga Presidenti i Shqipërisë Ramiz Alia!

Përpos simbolit të rezistencës sonë kombëtare Adem Demaçit, në varrim morën pjesë edhe ish të burgosur politik e veteran të luftës për liri, veprimtarë të subjekteve politike, shokë të Ahmet Haxhiut, në mesin e të cilëve veçojmë: Ali Aliun, Ramadan Hoxhën, poetin Zeqir Gërvallën, Hydajet Hysenin deputet, Skender Kastrati antar i kryesisë së LDK-së, Selatin Novosellën deputet, Mehmet Hajrizin deputet, Basri Musmuratin deputet, Sejdi Veselin, Osman Dumoshin, Adil Pirevën, Xhabir Morinën etj., etj…!

Varrimi i Ahmet Haxhiut kaloi në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë provokim të mundshëm nga ana e pushtuesit!

Nezir Uka
Prishtinë, 07.07.1994!

E përgaditi për botim,
Ismet Sylejmani, 6 Korrik 2024!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vala ‘e rrezikshme’ e të nxehtit ka nisur te vendoset…