Ahmet Isufi: Demarkacioni nuk na prish punë me PDK-në
Brenda koalicionit PAN ka qëndrime diametralisht të kundërta sa i përket demarkacionit me Malin e Zi.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka bërë të të qartë se vota e tyre do të jetë pro që ratifikimi të bëhet sipas versionit të Murat Mehës.
Por nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se qëndrimet e kësaj partie nuk janë lëkundur. “Ky variant i cili ka qenë i Komisionit të kaluar nuk kalon sepse nuk ka kaluar as atëherë kur partnerët e koalicionit kanë pasë mbi 80 vota. Nuk ka asnjë shanse që të kalojë ky variant”, ka thënë Isufi në “Dukagjini”.
Ai mendon se kjo nuk ka të bëjë me vazhdueshmërinë e koalicionit që kanë me PDK-në.
“Deputetët duhet të bazohen në vullnetin e tyre duke respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Nuk ka të bëjë kjo me koalicionin qeverisës. Ka të bëjë me mbrojtjen e interesit të territorit të Kosovës”, ka thënë Isufi.