Ahmetaj: Diplomacia kohëve të fundit është vënë në funksion të zgjedhjeve
Nënkryetarja e PDK-së, Mimoza Ahmetaj sonte në “Edicionin Special” në Klan Kosova, duke folur për shpërthimi në kanalin e Ibër Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ka uruar që kjo situatë të mos politizohet.
Ajo tha se tani presin që diplomacia e Kosovës të mobilizohet për të lobuar në të gjitha anët dhe siç u shpreh ajo, të vihen në funksion mekanizmat që kemi, njofton Klankosova.tv.
“Uroj që akterët dhe kriminelët të cilët kanë qenë të involvuar në rast të sillen para drejtësisë dhe që situatat e tilla të mos përsëriten dhe të mos politizohen. Uroj që një situatë e tillë të mos politizohet dhe shikohet që të përfitohet në aspektin e zgjedhjeve”.
“Po e them këtë për faktin se nga kjo situatë e tërë, Kosova do të duhej të përfitonte duke e çuar këtë mesazh deri në fund, deri tek institucionet e larta në Bashkimin Evropian dhe në këtë rast po e mendoj NATO-n, sepse është mëse e qartë se Bashkimi Evropian si fuqi e butë diplomatike ka pak mekanizma për ta zgjidhur si problem, në këtë situatë ne presim që të involvohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO si dhe britanikët”
“Kjo është ajo periudha menjëherë pas ngjarjeve, disa ditë pas ngjarjeve dhe ne presim që të mobizilohet në tërësinë e saj, gjithë diplomacia e Kosovës që të lobojë në të gjitha anët e mundshme dhe t’i vë në funksion mekanizmat të cilët ne i kemi, shtetet partnere, por edhe mekanizmat tjerë institucional, të sigurisë evropiane apo botërore në mënyrë që të hidhet dritë dhe të gjenden shkaktarët e akteve të tilla, e aktit të tillë”, është shprehur ajo.
Tutje, Ahmeti tha se nuk kemi diplomaci funksionale dhe se kohëve të fundit ajo është vënë në funksion të zgjedhjeve,
“Nëse merret parasysh, nëse po më pyetni në 4-5 vitet e fundit është më tepër se e qartë dhe e dukshme se ne nuk e kemi pasur një diplomaci funksionale, dëshmitë janë të dukshme, të prekshme, nuk kemi anëtarësime, nuk kemi njohje nga shtetet tjera, për më tepër ne kemi vënë ditët e fundit, apo kohët e fundit në funksion të zgjedhjeve”, u shpreh tutje nënkryetarja e PDK-së.