Ahmetaj i reagon Gërvallës: Ata që e mohojnë UÇK-në, e kanë adresën në Serbi dhe në Rusi
Ish-luftëtari i UÇK-së dhe kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, afaristi Ramush Ahmetaj, ka reaguar ndaj akuzave të fundit të Donika Gërvallës në Deçan për Ramush Haradinaj, liderin e AAK-së, të cilin e quajti “gjeneral të vetëshpallur”.
Ahmetaj përmes një postimi në “Facebook”, ka theksuar se edhe më tutje Donika Gërvalla dhe soj i saj nuk i pranojnë gjeneralët e UÇK-së.
“Ata që e mohojnë UÇK-në, e kanë adresen në Beograd, në Serbi dhe në Rusi”, ka thënë Ahmetaj.
Reagimi i plotë i Ahmetajt:
Reagimet kundër ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla
Në tubimin elektoral në Deçan, Donika Gërvalla e ka quajtur Ramush Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”. Ramush Haradinaj është njëri prej Gjeneralëve shqiptar ndër më të lavdishmit e të gjitha kohërave. Edhe më tutje Donika Gërvalla dhe soj i saj nuk i pranojnë gjeneralët e UÇK-së, ajo me bashkëpunëtor edhe më tutje e mohojnë edhe luftën çlirimtare, shtresa e tyre janë mohuesit e lirisë dhe gjakut të dëshmorëve. Ata që e mohojnë UÇK-në, e kanë adresen në Beograd, në Serbi dhe në Rusi. Serbia është urdhëruesi i vrasjes së Jusuf Gërvallës që vajza e tij i mohon ata që i dëbuan vrasësit e babait të saj. Me sjelljet e saj Donika Gërvalla me dashje apo pa dashje po e mban anën e atyre që ja vranë babanë. Përkrahësit e Donikës të cilët po fshihen pas saj nuk i njohin gjeneralët e UÇK-së sepse janë mësuar me gjeneralët e Serbisë.
Veprën dhe sakrificën e familjes Haradinaj dhe të Ramush Haradinajt nuk mund ta zbenë askush, madje as inati i tërë botës. Donika Gërvalla është pikë në oqean përballë lavdisë dhe madhështisë së Ramush Haradinajt.