Ahmetaj: Integrimi evropian kërkon konsensus politik
Ish-ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës para se të shkojnë në pushime verore duhet t’i votojnë marrëveshjet për qasje në programet e IPA-s.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka vlerësuar se marrëveshjet e Kosovës për qasje në programet e Bashkimit Evropian si dhe fondet e IPA-s janë dy çështje të rëndësisë vitale për shtetin e Kosovës.
Ahmetaj u ka bërë thirrje institucioneve ta shtojnë angazhimin për t’i përfunduar reformat e domosdoshme në mënyrë që shteti i Kosovës të avancojë në procesin e integrimit evropian. Sipas saj, ky proces duhet të mbetet prioritet i institucioneve vendore dhe, si i tillë, kërkon konsensus politik.
“Procesi i integrimit evropian duhet të mbetet prioritet për institucionet e Republikës së Kosovës, prandaj në vazhdimësi duhet të shtohet puna drejt përmbushjes së këtyre kritereve apo bërjes së reformave të domosdoshme, në mënyrë që shteti ynë të avancojë në këtë agjendë/proces. Integrimi evropian është proces që i takon edhe pozitës edhe opozitës, prandaj për këtë proces është shumë me rëndësi të ketë konsensus politik”, është shprehur Ahmetaj. Ajo ka folur edhe për ecurinë e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke shprehur optimizëm se ky proces do të përmbyllet këtë vit nga BE-ja. “Për procesin e liberalizimit të vizave jam optimiste që si proces brenda institucioneve të Bashkimit Evropian do të përmbyllet këtë vit”, ka deklaruar Ahmetaj.
Megjithatë ish-ministrja e Integrimit Evropian ka bërë me dije se shtetit të Kosovës i mbetet të dëshmojë para shteteve anëtare të Bashkimit Evropian se është duke e luftuar korrupsionin dhe se nuk ka numër të rritur të azilkërkuesve kosovarë në vendet e Bashkimit Evropian.
“Kosova duhet të dëshmojë para shteteve anëtare se është duke punuar në vazhdimësi në luftimin e korrupsionit. Duhet të dëshmojë se i ka përmbushur të gjitha kriteret për lëvizje të lirë si dhe duhet të dëshmojë se nuk ka numër të rritur të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian”, është shprehur Ahmetaj.
“Epoka e re”: Znj. Ahmetaj, si e komentoni ecurinë e procesit të agjendës evropiane?
Ahmetaj: Procesi i integrimit evropian duhet të mbetet prioritet për institucionet e Republikës së Kosovës. Në vazhdimësi duhet të shtohet puna drejt përmbushjes së këtyre kritereve apo bërjes së reformave të domosdoshme në mënyrë që shteti ynë të avancojë në këtë agjendë.
“Epoka e re”: Në fakt, Kuvendi i Republikës së Kosovës javën e kaluar nuk ka arritur t’i miratojë tri projektligje që janë pjesë e agjendës evropiane. Nëse këto projektligje nuk votohen së shpejti, Kosova humbet mundësinë e aplikimit në fonde me vlerë mbi 80 milionë euro gjatë këtij viti.
Ahmetaj: Marrëveshjet e Kosovës për qasje në programet e Bashkimit Evropian si dhe IPA fondet për këtë vit janë dy çështje të rëndësisë vitale për Republikën e Kosovës. Uroj që Kuvendi t’i votojë këto pika para se të shkojë në pushim vjetor.
“Epoka e re”: Kjo qasje e partive politike nga radhët e opozitës a mund ta ngadalësojë procesin integrues?
Ahmetaj: Integrimi evropian është proces që i takon edhe pozitës, edhe opozitës, prandaj për këtë proces është shumë me rëndësi të ketë konsensus politik.
“Epoka e re”: Tashmë Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Sa ka gjasa që ky proces të përmbyllet brenda këtij viti?
Ahmetaj: Për procesin e liberalizimit të vizave jam optimiste që si proces brenda institucioneve të Bashkimit Evropian (BE) do të përmbyllet këtë vit.
“Epoka e re”: Cila duhet të jetë strategjia e shtetit të Kosovës për t’i bindur vendet anëtare të Bashkimit Evropian që kjo çështje të mos shtyhet për vitin tjetër?
Ahmetaj: Kosova duhet të dëshmojë para shteteve anëtare se është duke punuar në vazhdimësi në luftimin e korrupsionit. Duhet të dëshmojë se i ka përmbushur të gjitha kriteret për lëvizje të lirë si dhe duhet të dëshmojë se nuk ka numër të rritur të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian.
Shqipe HETEMI