Ahmetaj: Kosova duhet ta avancojë procesin e integrimit
Ish-ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian do të kërkojë nga institucionet e Kosovës angazhim për ta implementuar agjendën evropiane.
“Ne e kemi krijuar një përvojë me këto raporte, ku kërkohet angazhim nga të gjithë ne dhe secili institucion që ta implementojmë agjendën evropiane. Sigurisht se reformat nuk janë çdoherë shumë lehtë të pranueshme, por nuk duhet harruar se këto reforma na faturohen si suksese të vendit në këtë proces”, është shprehur Ahmetaj në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”.
Ajo ka deklaruar se Kosova duhet ta vazhdojë luftimin e krimit dhe korrupsionit, reformat në drejtësi, si dhe reformat në administratën publike. Sipas Ahmetajt, vazhdimi i reformave mund ta shkurtojë rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Kosova është në proces të përmbushjes së obligimeve që dalin nga agjenda evropiane. Në proces janë reformat në drejtësi, në administratën publike, në ekonomi, si dhe kemi shënuar progres në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nuk duhet harruar se Kosova ka filluar e fundit procesin integrues dhe fakti që ne kemi pasur zgjedhje në vitin e kaluar, kjo e ka ngadalësuar procesin integrues. E rëndësishme për neve është që tani, pasi nuk parashihet të ketë zgjedhje të reja, fokusi ynë kryesor të jetë avancimi në këtë proces, duke përshpejtuar hapat në reformat e filluara në mënyrë që ta shkurtojmë rrugën drejt integrimit. Për Kosovën po aq i rëndësishëm është edhe vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe arritja e marrëveshjes për normalizim si dhe përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave”, ka deklaruar ajo.
Ahmetaj ka vlerësuar se demarkacioni me Malin e Zi ka qenë mësim për të gjithë se sa është i rëndësishëm konsensusi politik në agjendën evropiane. Ajo ka shprehur optimizëm se gjatë këtij viti qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.
“Kosova e ka përfunduar demarkacionin dhe ka shënuar progres në luftimin e korrupsionit dhe unë pres që tani institucionet e Bashkimit Evropian ta procedojnë më tutje çështjen e liberalizimit. Unë nuk shoh arsye që kjo të mos bëhet këtë vit dhe jam optimiste për këtë”, ka theksuar Ahmetaj.
“Epoka e re”: Znj. Ahmetaj, sot (e martë) do të publikohet Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën. Çfarë pritjesh keni nga ky raport dhe cilat mendoni se do të jenë të arriturat dhe ngecjet e evidentuara?
Ahmetaj: Kosova tashmë e ka një përvojë me raportin e vendit, siç quhet, Raporti i Progresit. Nuk pres diçka më tepër nga ato që dihen se cilat janë obligimet tona dhe sa nga obligimet i kemi realizuar. Ne e kemi krijuar një përvojë me këto raporte, ku kërkohet angazhim nga të gjithë ne dhe secili institucion që ta implementojë agjendën evropiane. Sigurisht se reformat nuk janë çdoherë shumë lehtë të pranueshme, por nuk duhet harruar se këto reforma na faturohen si suksese të vendit në këtë proces.
“Epoka e re”: Si e vlerësoni punën e institucioneve sa i përket agjendës evropiane të Kosovës?
Ahmetaj: Strategjia afatmesme e Bashkimit Evropian për zgjerim 2015-2018 e ka përcaktuar se shtetet që synojnë anëtarësimin në BE duhet t’i përmbushin obligimet fundamentale siç janë reformat në rend dhe ligj, reformat në drejtësi, luftimi i krimit dhe korrupsionit, reformat në administratën publike dhe institucione demokratike si dhe reformat në ekonomi dhe konkurrushmëri. Është shtytje shumë e madhe që si PDK-ja ashtu edhe institucionet tona e kanë prioritet agjendën evropiane dhe kjo është përparësi në raport me shtetet në rajon, që ka nga ato që janë më skeptike sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian. Kosova është në proces të përmbushjes së obligimeve që dalin nga agjenda evropiane. Në proces janë reformat në drejtësi, në administratën publike, në ekonomi, si dhe kemi shënuar progres në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nuk duhet harruar se Kosova ka filluar e fundit procesin integrues dhe fakti që ne kemi pasur zgjedhje në vitin e kaluar, kjo e ka ngadalësuar procesin integrues. E rëndësishme për neve është që tani, pasi nuk parashihet të ketë zgjedhje të reja, fokusi ynë kryesor të jetë avancimi në këtë proces, duke përshpejtuar hapat në reformat e filluara në mënyrë që ta shkurtojmë rrugën drejt integrimit. Për Kosovën po aq i rëndësishëm është edhe vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe arritja e marrëveshjes për normalizim si dhe përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave.
“Epoka e re”: Nga këndvështrimi juaj, si e shihni procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën?
Ahmetaj: Çështja e demarkacionit me Malin e Zi ka qenë mësim për të gjithë ne se sa është i rëndësishëm konsensusi politik në agjendën evropiane. Kosova e ka përfunduar demarkacionin dhe ka shënuar progres në luftimin e korrupsionit. Unë pres që tani institucionet e Bashkimit Evropian ta procedojnë më tutje çështjen e liberalizimit.
“Epoka ere”: Kur janë gjasat reale që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian?
Ahmetaj: Unë nuk shoh arsye që kjo të mos bëhet këtë vit dhe jam optimiste për këtë.
Shqipe HETEMI