Ahmetaj: Rritja ekonomike parashikohet të jetë 4.5 për qind në vitin 2019
Rritja ekonomike po shkon drejt 4.5 për qind dhe këtë vit do të jetë rreth 4.3 për qind. Kjo rritje ekonomike në gjysmën e parë të vitit 2018 është gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme.
Kështu ka deklaruar ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, gjatë seancës se sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Ahmetaj ka thënë se rritja ekonomike ka ardhur si pasojë e rritjes së investimeve publike dhe relaksimit fiskal.
“Nëse do të përkufizoja dy tiparet e buxhetit 2019, ka një ngjyrë intensive të konsolidimit social, të përshpejtimit të rritjes ekonomike por mbi të gjitha të rritjes së investimeve dhe uljen e mëtejshëm të borxhit publik. Së dyti, ka një profil të konsoliduar tejet social të bazuar në politikat e reja të rritjes së pagave dhe rritjes së vazhdueshme të relaksimit fiskal”, ka thënë Ahmetaj.
Sipas tij, shifrat që tregojnë rritjen ekonomike janë të dukshme pasi në vetëm katër vite janë punësuar 35 për qind e totalit të vendeve të punës.
“Për vitin 2018, rritja ekonomike ka vazhduar e përshpejtuar përgjatë këtij viti. Rritja është tek 234 mijë të punësuar të rinj dhe në 4 vite mbi 35 për qind e totalit të vendeve të punës. Rritja po shkon drejt 4.5 për qind dhe këtë vit do të jetë rreth 4.3 për qind. Kjo rritje ekonomike në gjysmën e parë të 2018 është gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme”, ka thënë Ahmetaj. /TCh/