Ameti: Agjencia s’ka të drejtë mos ta akreditojë programin e Gjeodezisë
Ditën e fundit të janarit të 2019-s janë bërë të ditura drejtimet që nuk do të akreditohen në Universitetin e Prishtinës. Në mesin e tyre, Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka vendosur të mos e akreditojë edhe drejtime në Fakultetit e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Ky këshill ka vendosur t’ia tërheq akreditimin programit “Gjeodezi” në nivelin Bachelor.
Pas këtij lajmi Ndërtimi.info ka kontaktuar shefin e Katedrës, Përparim Ameti, i cili thotë se Agjencia e Akreditimit nuk ka bazë ligjore që të mos e akreditojë këtë program.
Sipas Ametit, Agjencia ka informata gojore që kinse kjo katedër nuk ka staf të mjaftueshëm.
“Ata i kanë informatat gojore që kinse ne nuk kemi staf, por ne në fakt kemi stafin e mjaftueshëm për akreditim. Kështu që nuk kanë bazë ligjore dhe pa bazë ligjore e kanë bërë këtë vendim. Ne e kemi akreditimin deri në vitin e ardhshëm, mirëpo ata e kanë suspenduar kinse ne nuk kemi staf. Sipas informatave që kemi ne, ata kanë marrë informata gojore prej dikujt që ka pretenduar që dikush prej stafit tonë nuk është i rregullt, e ne faktikisht e kemi gjithë stafin me rregull me kontrata”, tha Ameti për Ndërtimi.info.
Ai ka insistuar që Agjencia e Akreditimit duhet të tregojë se në çka është bazuar për të suspenduar këtë program.
“Ne me siguri që kemi drejtë me bë ankesë. Por kjo është e paarsyeshme sepse ata nuk kanë bazë, ata duhet me na tregu neve në çka është bazuar që e kanë suspenduar programin. Nëse ata thonë që nuk kemi personelin, ne kontratat atyre ua kemi dërguar paraprakisht. Ata e kanë dokumentacionin, informacionin e kanë se ata kanë kërkuar, ne ua kemi dërguar kontratat e personelit”, thekson ai.
Tutje, Ameti për Ndërtimi.info tha se për këtë program ka interesim të madh të studentëve, e që mos akreditimi i këtij program do të ishte dëm për studentët.
“Dëmi kish me qenë se mbetën studentët pa u regjistruar vitin e ardhshëm. Një profesion deficitar që është në Kosovë mbetët pa akreditim. Ne kemi numër shumë të madh të aplikantëve. Ne nuk kemi problem me kandidatët, kemi kandidatë tepër dhe për këtë arsyeje kemi edhe provim pranues”, përfundoi ai.
Ndërkaq, Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës i janë akredituar programet si në vijim: “Arkitekturë” në nivelin Master i shkencës, “Hidroteknikë” në nivelin Bachelor i shkencës dhe Master i shkencës, “Ndërtimtari” në nivelin Bachelor i shkencës dhe Master i shkencës.