Ahmeti, ambasadorit të Francës: Legjitimiteti po shkelet rëndë nga qeveria monoetnike, BDI-ja nuk destabilizon
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka pritur të mërkurën në selinë e partisë në Tetovë ambasadorin e Francës në Maqedoninë e Veriut, Siril Bomgartner.
Siç ka njoftuar BDI-ja, bashkëbiseduesit kanë diskutuar rreth zhvillimeve politike në vend e rajon, integrimit evropian dhe ndryshimeve kushtetuese sipas frymës së marrëveshjes së Ohrit dhe legjitimitetit.
Ahmeti ka akuzuar qeverinë aktuale për shkeljen e legjitimitetit në raport me shqiptarët.
“Kryetari Ahmeti ka përsëritur përkrahjen e madhe të Bashkimit Demokratik për Integrim për ndryshimet kushtetuese në përputhje me Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë për ta përfshirë komunitetin bullgar në kushtetutë me ç’rast zhbllokohet rruga drejt Bashkimit Europian, por gjithashtu ka shprehur nevojën e respektimit të emrit kushtetues dhe të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë. Ahmeti foli për frymën e Marrëveshjes së Ohrit, të garantuar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila po shkelet rëndë nga qeveria me legjitimitet monoetnik. Legjitimiteti buron nga zgjedhjet ku shprehet vullneti demokratik i popullit për të zgjedhur përfaqësuesit e vet, e në veçanti në shoqëri multietnike ku partitë janë të organizuara në baza etnike. Humbësit e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare nuk janë përfaqësues legjitim të popullit shqiptar, por janë shërbëtorë të OBRM-PDUKM-së dhe po shkatërrojnë çdo të arritur në drejtim të barazisë”, ka njoftuar BDI-ja.
Në lidhje me situatën e sigurisë, siç është thënë në njoftimin e BDI-së, Ahmeti ka alarmuar për mashtrimin e madh qeveritar për të inskenuar skenarë destabilizues që të defokusohet opinioni publik. “BDI nuk është pjesë e asnjë skenari destabilizues dhe hedh poshtë çdo tendencë komplotiste qeveritare”, citohet të këtë thënë Ahmeti.