Ahmeti apel Qeverisë Kurti: Kërkoni 500 mijë vaksina nga SHBA

27 prill 2021 | 20:34

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka kërkuar sot nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti të sigurojë nga SHBA gjysmë milion vaksina antiCOVID-19 për qytetarët e Kosovës.

Kërkesa e kreut të Prishtinës vjen në kohën kur vendi deri më tash ka pranuar vetëm 24 mijë doza të vaksinës antiCOVID-19, të siguruara nga programi COVAX.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur që t’i ndajnë për miqtë 70 milionë vaksina të AstraZeneca që i kanë kontraktuar më herët. Lus Qeverinë e Kosovës që të bëj kërkesë te SHBA për 500 mijë vaksina. Natyrisht që SHBA kanë shumë miq në nevojë, por nuk humbim asgjë nëse kërkojmë”, shkruan Ahmeti në Facebook.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka marrë shumë kritika për shkak të mos nënshkrimit të kontratës me Pfizer, për sigurimin e vaksinave të reja antiCOVID–19 për qytetarët e Kosovës. Por, ministri Vitia ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se ato janë të pavërteta.

Vaksinimi në Kosovë ka filluar më 29 mars, një ditë pasi ishte pranuar kontingjenti i parë prej 24 mijë dozave të vaksinës “AstraZeneca” nga COVAX.

Në 24 orët e fundit, Kosova ka regjistruar 194 raste të reja pozitive me koronavirus dhe 8 raste të vdekjes.

Numri total i rasteve pozitive është 104.390 raste nga 524.588 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.148 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 599 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 92.571 raste, kurse numri i rasteve aktive është 9.671.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Rahovecit 62:70 (13:25,…