Ahmeti: Autobusët e rinj nuk do të tërhiqen nga qarkullimi për fitim të kompanive private
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, u ka bërë thirrje pronarëve të autobusëve privatë të mos protestojnë për shkak të operimit të autobusëve të rinj të Trafikut Urban në disa linja të reja.
Ai në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se autobusët e rinj të Trafikut Urban nuk do të tërhiqen nga qarkullimi në linjat e reja, pavarësisht kërkesave të operatorëve privatë
Postimi i plotë i Ahmetit:
Disa nga operatorët privat të linjave të transportit publik në Prishtinë edhe sot po protestojnë duke bllokuar rrugët e kryeqytetit. Ankesa kryesore është që kemi ndërhy me autobusë të ri në disa pjesë të qytetit ku ata kanë pas profit, posaçërisht në rrugën Muharrem Fejza dhe në Kalabri (të shkolla ekonomike). Po ashtu transportuesi nga Makovci është ankuar që autobusi i Keqekollës po ja merr udhëtarët sepse të gjithë po kanë dëshirë të voziten në autobusët e ri.
Kërkesë e kanë që autobusët e ri të tërhiqen nga Kalabria dhe nga Lagja e Spitalit sepse ata kanë pas autobusët e tyre të vjetër në këto linja.
1. Trafiku Urban i ka lajmëruar nënkontraktorët disa herë gjatë viteve të fundit se autobusët e ri do t’i zëvendësojnë të vjetrit.
2. Kalabria dhe Lagja e Spitalit kanë bërë qindra kërkesa për transport publik. Ka shumë linja që kalojnë në disa pjesë në të njëjtat rrugë. Komuna e Prishtinës është pronare e linjave të transportit publik, dhe shërbimin për qytetarë e ka mbi interesin privat. Komuna vendos se ku janë nevojat për transport dhe ku do t’i vendosë linjat dhe autobusët.
3. Prishtina ka nevojë për 160 autobusë, dhe me Ligjin për kredinë e kemi kusht që 80 të jenë nga sektori publik e 80 nga sektori privat. Ne kemi 51 në pronësi publike.
4. Deri në janar do të tenderojmë linjat për sektorin privat dhe do të kenë kontratën e njëjtë të pagesës për kilometër sikurse edhe trafiku urban. Të hyrat nga biletat transferohen te komunat. Kontratat do të jenë 7 – 10 vjeçare, por kompanitë duhet të investojnë në autobusë shumë më të ri se që i kanë sot. Do ta kemi një standard në krejt transportin publik. Do të shohim mundësinë e kontraktimit më të shpejtë me ato kompani që kanë ofruar transport të përgjegjshëm me vite në komunën tone.
I ftoj kompanitë që të përgatiten në javët në vijim për këtë aktivitet e mos të protestojnë sepse autobusët e ri nuk mund të tërhiqen nga qarkullimi për fitim të kompanive private. Prishtina ka nevojë për transport prandaj le të mendohet për shërbimin ndaj qytetarëve.
/Epoka e re/