Ahmeti: BE-ja të reagojë ndaj politikës së Beogradit
Kreu i Prishtinës dhe i PSD-së, Shpend Ahmeti, që njëherësh është edhe bashkëdrejtues i Ekipit shtetëror, ka thënë se përderisa Beogradi zyrtar e ka dinamizuar aktivitetin e tij politik kundër integrimit të serbëve të Kosovës, Bashkimi Evropian vazhdon heshtjen.
“Me sa duket përvoja e tij në Bosnje dhe në Kosovë po e ridëshmon doktrinën e tij për ushtrinë, kur ushtria ‘jugosllave’ vriste shtetasit e saj, me mbështetjen dhe bekimin politik të partisë së atëhershme të Vuçiqit. Kritika e vetme e tyre ishte se ajo nuk ishte mjaft ‘efikase’. Nga ana e saj, kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq që i rikujton shqiptarëve se ‘jemi në shekullin XXI’, po i mungon vetëm edhe citimi i ‘babait të kirurgjisë serbe’, Vladan Gjorgjeviqit, për ‘shqiptarët me bisht’”, ka shkruar Ahmeti.
“Po dhuna politike e Serbisë shtetërore kundër (integrimit të) serbëve të Kosovës bëhet edhe më e drejtpërdrejtë kur Marko Gjuriqi ushtron sot presion të drejtpërdrejtë shtetëror ndaj ministres së re të Kosovës për Bujqësi, Dijana Zhiviq, me gjuhën e njëjtë të Millosheviqit, që ‘bashkëpunimi i serbëve me institucionet e Kosovës qenka veprim kundër interesave të kombit serb’”, ka shkruar Ahmeti në profilin e vet në “Facebook”. “Emërimi i Dijana Zhiviqit, si grua dhe si pjesëtare e komunitetit serb të Kosovës, është për t’u përshëndetur. Ajo, si dhe çdo qytetar që dëshiron të jetojë në paqe dhe të bashkëjetojë në harmoni me qytetarët e përkatësive të ndryshme etnike në Kosovë duhet të mbrohet nga institucionet dhe shoqëria jonë kundër presioneve të qeveritarëve të Serbisë”, ka thënë Ahmeti. “Ministrja e re e Bujqësisë e Republikës së Kosovës duhet të mbrohet nga Qeveria e Serbisë dhe të gjykohet vetëm se mbi performansën e politikat e saj në sektorin e bujqësisë”, ka shtuar më tej.