Ahmeti çështjen e flamurit ia lë në dorë Haradinajt
Mos vendosja e flamurit shtetëror në hyrje të Prishtinës ka ngjallur reagime nga shoqëria civile por edhe nga zyrtarët shtetërorë. I fundit që ka reaguar është ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli i cili ka thënë se komuna e Prishtinës patjetër duhet ta vendos flamurin shtetëror “Te Rrethi”. Pjesë e komunës është edhe i vëllai i tij Selim Pacolli, i cili është nënkryetar i Shpend Ahmetit.
E lidhur më këtë kreu i Prishtinës Shpend Ahmeti, me anë të një postimi në profilin e vet në “Facebook”, deklaroi se çështjen e vendosjes së Flamurit të Kosovës, i’a ka lënë Qeverisë konkretisht kryeministrit Ramush Haradinaj.
Ahmeti për këtë ka cituar Ligjin për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës, si dhe Ligjin për Protokollin e shtetit.
Postimi i plotë i Ahmetit në “Facebook”:
Po e shoh një debat të gjatë në lidhje me flamurin shtetëror të Kosovës i cili me apo me pa qëllim po drejtohet te Komuna me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. E para, unë jam kryetar i Prishtinës, kryeqytet i Republikës së Kosovës, me kushtetutë e ligje në fuqi, të cilat i zbatojmë dhe i respektojmë. E dyta, vendosja e simboleve shtetërore rregullohet me Ligjin 03/L-038 për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës dhe Ligjin 03/L-032 për protokollin e shtetit. Aty është shumë e qartë. Neni 3 pika 4. “Protokolli i Shtetit kryen këto funksione: 1.4. përgjigjet për organizimin e ceremonive për festat zyrtare, memorialë, shtetërorë dhe lokale, në rastet kur ato janë jubilare dhe kur për organizimin e të cilave formohet me vendim të Qeverisë të Republikës së Kosovës një komision shtetëror. “ Neni 15 paragrafi 2 “Në mjediset e jashtme flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës qëndron i ngritur mbi ose pranë selive të institucioneve qendrore dhe lokale qeveritare, në pikat kufitare si dhe përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, njëzetekatër (24) orë dhe i ndriçuar drejtpërdrejtë gjatë natës. Në rastet e festave zyrtare dhe memoriale flamuri ngritët edhe në vende të tjera me autorizimin e Kryeministrit, për evenimente shtetërorë ose të kryetarit të Komunës, për evenimente lokale. Besoj se dihet që 10 vjetori është eveniment shtetëror.