Ahmeti dhe Ejupi konfirmojnë kandidaturat për kryetar të FFK-së

22 shkurt 2022 | 11:16

Pesë persona deri tash e kanë konfirmuar kandidimin për të parin e Federatës së Futbollit të Kosovës. Të fundit që e kanë bërë një gjë të tillë janë Remzi Ejupi dhe Arianit Ahmeti. Ky i fundit ka treguar se deri tash i ka mbledhur 15 nënshkrime dhe se në ditët e ardhshme do të paraqesë edhe planprogramin. 

Gara për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës pritet të jetë shumë e “nxehtë”. Kryetari aktual Agim Ademi do të sfidohet nga ish-zëvendëssekretar i FFFK-së, Arianit Ahmeti dhe ish-presidenti i FC Prishtina, Remzi Ejupi. Ky i fundit të dielën në një emision sportiv ka deklaruar se është duke punuar rreth një plani i cili fillimisht do t’u paraqitet klubeve para kuvendit zgjedhor të FFK-së. “Jemi duke punuar një plan me ekip ndërkombëtar. Do të prezantohet para klubeve. Do të mundohemi të vendosim kriteret, standardet, se kush ka të drejtë”, ka thënë Ejupi në “Dueli Sportiv”.

Kandidimin për numrin një të Federatës së Futbollit të hënën e konfirmoi edhe Arianit Ahmeti përmes një njoftimi në profilin e vet në “Facebook”. Ahmeti, që kohë më parë ishte përjashtuar nga FFK-ja, ka bërë me dije se deri tash i ka marrë mbi 15 nënshkrime, kurse në ditët e ardhshme do ta bëjë publik edhe planprogramin, raporton “Epoka e re”.

“Të nderuar futbolldashës, ju drejtues të klubeve, donatorë dhe komunitet i futbollit në vendin tonë, ju informoj se tanimë edhe zyrtarisht se do të jem kandidat për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës. Unë kam pritur që FFK zyrtarisht t’i shpall zgjedhjet për kryetar për ta rishpallur kandidaturën time të cilën e kam shpallur në nëntor 2019, atëherë kur, sipas statutit të FFK-së, do të duhej të mbaheshin zgjedhjet për kryetar të FFK-së në  janar 2020. Mirëpo duke parë që udhëheqja e aktuale e FFK-së nuk i mbajti zgjedhjet sipas Statuti në vitin 2020, dhe sot nuk është transparente dhe është involvuar në mbledhje të nënshkrimeve për kandidim për kryetar ende pa u shpallur zgjedhjet që tani duhet të mbahen në korrik 2022. Ju konfirmoj se kam mbështetjen e klubeve (mbi 15) të nevojshme për kandidim për kryetar të FFK-së. Në ditët në vijim do ta prezantoj programin tim për udhëheqje të FFK-së. Me të gjithë futbollëdashesit do të bashkëpunoj për ta bërë ndryshimin e duhur për ta zhvilluar futbollin tonë, që vitet e fundit u degradua shumë nga Agim Ademi i cili ia humbi shkëlqimin dhe imazhin pozitiv që e kishte futbolli ynë”, ka thënë Ahmeti, i cili ka bërë thirrje që zgjedhjet të jenë të lira dhe jo garë për klane më të forta.“Për futbollin tonë është e domosdoshme që zgjedhjet në FFK të jenë të lira, transparente dhe demokratike, e jo zgjedhje të montuara apo të dirigjuara. Gara për kryetarin e FFK-së duhet të jetë për programet më të mira nga të cilat përfiton futbolli dhe jo për klane më të forta nga të cilat përfitojnë individët dhe humbet futbolli”, ka shtuar ai.

Muaj më parë kandidimin për të parin e FFK-së e kanë bërë me dije edhe trajneri Bekim Shotani dhe ish-kryetari i skuadrës së Llapit, Nexhat Dumnica.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ajo gjithmonë ka tërhequr vëmendjen e publikut me veshjet shumë…