Ahmeti: Dialogu me Serbinë është jotransparentë
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti, ka thënë se më shumë marrin informata për dialogun me Serbinë nga Komisioni Evropian se sa nga udhëheqësit e shtetit.
“Është pak për keqardhje që më shumë informata marrim nga Komisioni Evropian se sa që marrim nga përfaqësuesit e Republikës së Kosovës mbi atë se çka po ndodhë. Prandaj, në asnjë mënyrë nuk e kanë përkrahjen në një proces jotransparentë dhe ku nuk e dimë as çka është roli i kujt, kush e ka mandatin dhe për çfarë po diskutohet. Pra asnjëri prej tyre të mos e mendojë se e ka përkrahjen bllanko nga asnjë subjekt opozitar, për sende të cilat nuk po tregojnë çka janë e as ku janë”, ka thënë Ahmeti.
Megjithatë, Ahmeti ka thënë se nëse pozita e dëshiron përfshirjen e opozitës në dialog, atëherë ata duhet të tregohen më të sinqertë.
“Nëse njëmend e kanë pjesëmarrjen e opozitës, atëherë duhet të jenë shumë më të sinqertë në atë se çfarë ofrojnë. Përndryshe nëse janë punët e kryera e po na thirrin sa për sy e faqe që me dalë në fotografi dhe për ta shpërndarë fajin për ndonjë marrëveshje përfundimtare, jo faleminderit”, ka thënë Ahmeti.