Ahmeti: Do ta mbrojmë legjitimitetin e votës së shqiptarëve
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë të mërkurën në Tetovë se Fronti Evropian është përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe jo koalicioni VLEN, që tani është pjesë e shumicës së re parlamentare dhe pritet të jetë pjesë e qeverisë së re.
Ahmeti ka thënë se BDI-ja dhe Fronti Evropian janë përfaqësues legjitimë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, andaj edhe ka paralajmëruar “aktivitete për mbrojtjen e votës së shqiptarëve”.
Në paraqitjen para medieve së bashku me drejtuesit e Frontit Evropian që përbëhet nga disa parti shqiptare dhe katër parti të etniteteve tjera, Ahmeti ka thënë se çdo përpjekje për të “shkelur në vullnetin e shqiptarëve dhe të komuniteteve tjera, do të kundërshtohet fuqishëm nga Fronti Evropian”.
Në bazë të rezultateve të KSHZ-së, në zgjedhjet parlamentare më 8 maj, Fronti Evropian ka fituar 18 mandate të deputetëve, kurse koalicioni VLEN, 14.
“Vota juaj nuk guxon të shkojë huq dhe ne jemi këtu bashkë me ju që t’i prijmë fitores suaj dhe ta zbatojmë vullnetin tuaj si fitimtarë”, ka thënë Ahmeti duke mos sqaruar se çfarë masash do të ndërmerren në mbrojtje të asaj që ai e quan “legjitimitet i shqiptarëve”.
Por, drejtuesit e koalicionit VLEN, gjithashtu, kanë pretenduar se janë përfaqësues legjitimë pasi kanë thënë se ka fituar “vota të pastra shqiptare” kundrejt Frontit Evropian që në zgjedhje ka marrë vota edhe nga bashkësitë tjera etnike.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se opinioni me kohë do të njoftohet me masat që do të ndërmerren, duke theksuar se do të shfrytëzohen të gjithë “mekanizmat” për mbrojtjen e “fitores” në zgjedhjet e 8 majit.
I pyetur nëse braktisja e punimeve të Kuvendit të martën, në të cilën Afrim Gashi nga koalicioni VLEN dhe VMRO DPMNE-ja është zgjedhur për kryetar të Kuvendit, Ahmeti ka thënë se “ndihej i fyer të qëndronte në një seancë të tillë”.
“Nuk bëhet fjalë për bojkot. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat demokratik për mbrojtjen e legjitimitetit të fituar. Ne morëm pjesë në Kuvend në verifikimin e mandateve, por e braktisëm sallën sepse ndiheshin të fyer pasi po shkelej legjitimiteti i të gjitha atyre që votuan më 8 maj”, është shprehur Ahmeti.
Ai ka akuzuar drejtuesit e koalicionit VLEN për shkeljen e një marrëveshjeje që, sipas Ahmetit, është arritur mes partive shqiptare qysh në fund të vitit të kaluar se asnjë parti shqiptare nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re pa marrjen e garancive për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe vazhdimin e integrimit evropian.
Kreu i BDI-së, Ahmeti, ka thënë se përgjegjësia mbi të gjitha zhvillimet e mëtejme në Maqedoninë e Veriut, bie mbi mandatarin për formimin e qeverisë së re, Hristijan Mickovski.
Ai ka akuzuar VMRO DPMNE-në se gjatë viteve të fundit ka udhëhequr politikë antishqiptare me deklarata “naziste”, si dhe politikë kundër Bashkimit Evropian, NATO-s, SHBA-së si dhe kundër marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Ne jemi në mbrojtje të legjitimitetit dhe fare nuk tërhiqemi. Qerpiku nuk na dridhet, sepse jemi në të drejtën tonë”, ka thënë Ahmeti. /REL