Ahmeti: Gjimnazi “Ahmet Gashi”, në gjendje të rëndë infrastrukturore
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është takuar të enjten me përfaqësuesit e nxënësve, mësimdhënësve dhe drejtorin e gjimnazit “Ahmet Gashi” me të cilët ka biseduar rreth zhvillimeve në këtë shkollë, konkretisht rreth vendimit për mbylljen e kësaj shkolle.
Ahmeti ka thënë se kjo shkollë vazhdon të jetë në gjendje të rëndë infrastrukturore.
“Kemi dërguar ekspertët për të përgatitur projektin e renovimit të shkollës, por në raport na është thënë që Shkolla paraqet rrezik për nxënësit për shkak të dëmtimit në shtyllat mbajtëse dhe themelet e shkollës. Ne kemi vendos që përkohësisht me i zhvendos nxënësit, sepse me jetë nuk bëjmë kompromise. Bashkë me Këshillin Drejtues të shkollës jemi dakorduar edhe për një vlerësim profesional, për të na dhënë mendim të dytë për gjendjen e shkollës. Në bazë të raporteve, vendosim se a po e renovojmë, apo nevojitet rindërtim. Në secilin rast lëvizja e nxënësve është e përkohshme për shkak të sigurisë së tyre. Po e shoh që një subjekt politik po tenton ta politizojë rastin duke shpërndarë propagandë të rrejshme, por duhet ta dinë që me jetë të fëmijëve nuk ka politikë dhe nuk ka kompromis”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Takimi i Ahmetit me përfaqësuesit e nxënësve, mësimdhënësve dhe drejtorin e gjimnazit “Ahmet Gashi” ka ndodhur pas protestës që këta të fundit e kanë mbajtur në lidhje me mbylljen e kësaj shkolle.
/Epoka e re/