Ahmeti i gatshëm të bashkëpunojë me LDK-në e LV-në për rrëzimin e Qeverisë
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LV), mund të llogarisin në votat e Partisë Socialdemokrate për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Kështu ka deklaruar kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë i kanë deponuar më herët se dy partitë tjera opozitare.
Ahmeti ka theksuar se presin që bashkë me LDK-në dhe Vetëvendosjen të flasin për rrëzimin e Qeverisë dhe për formulat qeverisëse pas zgjedhjeve.
“Kam diskutuar me Isa Mustafën dhe i kam thënë se jemi të interesuar për një bashkëpunim opozitar. Nënshkrimet janë deponuar shumë më herët se sa LDK-ja dhe Vetëvendosja, por si duket tash zgjedhjet e brendshme në LDK kanë marrë prioritet dhe pasi të përfundojnë ato presim që të flasim për rrëzimin e Qeverisë dhe për formulat pas zgjedhjeve”, ka thënë Ahmeti.
I pari i Partisë Socialdemokrate (PSD) ka thënë se janë të gatshëm si parti që të shkojnë në zgjedhje. Për më tepër ai thotë se do të vazhdojnë të punojnë edhe muajt në vazhdim që në zgjedhje të dalin sa më mirë.
Shpend Ahmeti që është edhe bashkëkryesues i delegacionit shtetëror për bisedimet me Serbinë, ka thënë se ky ekip janë duke punuar në vazhdimësi dhe janë të gatshëm kurdo që dialogu vazhdon.
Ai ka thënë se presin që shumë shpejt të jepet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për dialogun dhe të sqarohet gjithçka.