Ahmeti: Kapacitet e institucioneve në kërkim dhe shpëtim duhet të zhvillohen
Njohësi i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh bashkëthemelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), Tahir Ahmeti, ka reaguar në profilin e vet në “Facebook” ndaj disa mangësive të institucioneve të reagimit, ndaj situatave emergjente, në rastin tragjik të humbjes së jetës së dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në lumin Lepenc.
“Rasti tragjik i humbjes së jetës së dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, vuri në pah disa mangësi në lidhje me gatishmërinë e institucioneve të reagimit ndaj situatave emergjente. Me gjithë respektin për angazhimin maksimal dhe sakrificën e bërë, në kushte dhe rrethana shumë të vështira, të të gjitha njësive të Kosovës për Kërkim Shpëtim, Policisë së Kosovës, FSK-së, Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, por edhe organizatave vullnetare dhe qytetarëve, vërehet nevoja për koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve përgjegjëse dhe ngritje të gatishmërisë së këtyre institucioneve. Kapacitetet e Kosovës për gatishmërinë e reagimit ndaj situatave emergjente, në këtë rast të Kërkim Shpëtimit, duhet të zhvillohen dhe operacionalizohen, duhet të ketë sa më shumë ushtrime dhe simulime të përbashkëta për Kërkim Shpëtim, (me skenarë të ndryshëm), të këtyre institucioneve”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka shtuar se Qeveria duhet të investojë më shumë në trajnime dhe në pajisje për institucionet e vendit, që kanë njësi profesionale të Kërkim Shpëtimit.
“Resurset dhe kapacitetet specifike për incidentet e këtij lloji duhet të jenë maksimalisht të përgatitura duhet reagim i shpejtë, i saktë në kohë, profesional dhe efektiv i të gjithë të përfshirëve në këso lloj situatash”, ka thënë Ahmeti.
/Epoka e re/