Ahmeti kërkon që ndotja e ambientit të luftohet gjatë gjithë vitit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kërkuar që ndotja e ambientit të luftohet gjatë gjithë vitit.
Ai nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook”, ka numëruar disa nga masat që kanë ndërmarrë nga viti i kaluar për çështje ambientale.
Postimi i plotë i Ahmetit:
Indeksi i cilësisë së ajrit mbrëmë ka arritur vlerën prej 493 (rrezikshëm për shëndet)
Sot, indeksi i cilësisë së ajrit është 38 (tepër pastër).
Dallimi kryesor i situatës prej mbrëmë deri sot janë parametrat e shtypjes atmosferike dhe lagështisë të cilat i mbajnë grimcat e ndotjes në lartësi të ulët të cilat e bëjnë të vështirë frymëmarrjen.
Ndotja duhet të luftohet gjatë gjithë vitit dhe është politikë afatgjate, dhe nga viti i kaluar janë ndërmarr këto masa:
1. Zgjidhja afatgjate për përdorimin e qymyrit për ngrohje është ngrohja qendrore dhe kogjenerimi. Kjo mund të bëhet me dyfishimin e kapaciteteve të kogjenerimit në KEK. Kosto e instalimit të pajisjeve -24.8 milion euro dhe vendimi politik. Pastaj vjen edhe kosto e zgjerimit të rrjetit në dhjetëra miliona euro. Momentalisht “Termokos” është në proces të tenderimit të zgjerimit të rrjetit aktual dhe kapaciteteve aktuale. BE ka zotuar edhe 13 milion për dyfishimin e kapaciteteve. Me vullnet politik dhe financim brenda 5 – 7 viteve do të mund të kyçet krejt qyteti në rrjet.
2. Investime në transportin publik dhe mbyllje graduale e disa rrugëve në qendër. Janë investuar mbi 11 milionë euro në transport publik por kjo nuk mjafton. Tani kalojmë në fazën e investimeve në sektorin privat.
3. Investime në efiçiencë të energjisë. Tani kemi ndërruar më shumë se gjysmën e ndriçimit publik në LED dhe do të vazhdojmë edhe më tutje. Së shpejti nënshkruajmë fazën e dytë të investimeve në ndërtesat publike për të zvogëluar konsumin e energjisë elektrike.
4. Kemi bërë investimet nëpër shkolla dhe institucione tjera dhe më nuk ka institucione që ngrohen me qymyr.
5. Rritja e hapësirave të gjelbra – kemi shtuar numrin e drunjve që mbjellim për çdo vjet në 7 mijë. Po investojmë nëpër parqe për të shtuar edhe më tutje hapësirat.
Niveli qendror
Duhet të ketë edhe më tutje investime në filterët e disa prej gjeneratorëve në KEK. Sivjet për here të pare është ndaluar dhënia falas e qymyrit për punëtorët e KEK. Duhet të sigurohen investime për të ndaluar ngrohjen me qymyr në institucionet shkollore në gjithë territorin e Republikës.
Duhet që as mos të na shkojë mendja në importimin e veturave më të vjetra se 10 vite.
Për shtypje atmosferike e lagështi nuk kemi çka bëjmë por për tjerat janë zgjedhje e vendime që ne si qytetarë I marrim gjatë gjithë vitit.