Ahmeti: Korrigjimi i kufijve nuk përfshihet në platformën për dialog
Shpend Ahmeti, bashkëkryesues i ekipit negociator për bisedime me Serbinë, ka thënë se as kryeministri Ramush Haradinaj dhe as të tjerët nuk duhet lënë vetëm për çështjen e taksës ndaj mallrave serbe.
Ai këto komente i ka bërë pas takimit të krerëve institucionalë dhe ekipit negociator për dialogun me Serbinë, pas finalizimit të platformës për bisedimet në Bruksel.
Me këtë rast, Ahmeti ka bërë thirrje që krerët e lartë shtetërorë të mos e lënë njëri-tjetrin vetëm në çështjen e taksës, derisa ka shprehur besimin se kjo nuk do t’i rrezikojë raportet me ShBA-në, pavarësisht letrës së dërguar lidhur me heqjen e taksës nga ana e Uashingtonit zyrtar.
Më tutje, Ahmeti ka thënë se çështja e korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi nuk do të përfshihet në platformën për bisedimet me palën serbe në Bruksel.
Për më tepër, Ahmeti ka bërë me dije se platforma për dialogun me Serbinë pritet të dërgohet zyrtarisht të premten në Kuvend.