Ahmeti: Kuvendi i Kosovës ta udhëheqë dialogun me Serbinë
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti, ka thënë se partia që ai drejton propozon që dialogu me Serbinë në Bruksel të udhëhiqet nga Kuvendi i Kosovës.
Ai këto komente i ka bërë as përfundimit të tryezës së partive politike të organizuar nga PSD-ja, në të cilën është diskutuar rreth dialogut me Serbinë dhe fuqizimi i republikës parlamentare.
Ahmeti ka pohuar se duhet themeluar edhe një komision parlamentar për mbikëqyrjen e këtij procesi të cilit duhet t’i raportojë ekipi negociator.
“Duke marrë parasysh që dialogu po merr një agjendë të madhe të politikës, ne kemi propozuar që dialogun ta udhëheqë Kuvendi i Kosovës, themelimi i një komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e dialogut, ku ekipi negociator do t’i raportojë. Nëse mandatohet nga Kuvendi, ky i fundit mund ta shkarkojë këdo. Nuk e dimë se pse po shkohet në dialog. Nuk ka dakordim të subjekteve politike me këtë tekst”, është shprehur ai.
Ahmeti ka treguar se PDK-ja dhe Nisma kërkojnë konsensus mbi procesin e dialogut, por që nuk kanë dakordim me disa pika.
“Në Kushtetutë nuk parashihet dialog me Serbinë për njohje të dyanshme. Ne jemi republikë parlamentare. Mendojmë se në Kushtetutë është e qartë se Kuvendi duhet ta udhëheqë këtë dialog”, ka thënë Ahmeti.