Ahmeti: Marrëveshja e Ohrit i ka shndërruar shqiptarët nga qiraxhinj në zot shtëpie

14 gusht 2018 | 17:50

Në 17-vjetorin e marrëveshjes paqësore të Ohrit, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka vlerësuar lart të arriturat e kësaj marrëveshje. Ai ka bërë me dije se kjo marrëveshje ka avancuar statusin juridik dhe politik të shqiptarëve në Maqedoni.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se me këtë dokument shqiptarët e Maqedonisë nga qiraxhinj që ishin janë kthyer në zot shtëpie. “Me këtë marrëveshje shqiptarët fituan barazinë e tyre dhe nga qiraxhinj që ishin në shtëpinë e vet u kthyen në zot shtëpie, me flamurin e tyre kombëtar, me universitetin e tyre në gjuhën amtare, me përfaqësim të drejtë si në ushtri dhe në polici, si dhe në përfaqësim të drejtë në administratë publike e atë shtetërore”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka përmendur edhe shifra konkrete se sa shqiptarë ishin në institucionet shtetërore para kësaj marrëveshje. “Meqenëse është momenti, sa për simbolikë po ju tregoj se deri në vitin 2001 shqiptarët kanë pasur 150 policë në gjithë policinë e Maqedonisë, kurse sot janë mbi 2 000 policë dhe mbi 2 000 oficerë dhe nënoficerë në armatën e Republikës së Maqedonisë. Kështu që ka edhe shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim, por deri më tani duhet të themi se vërtetë janë bërë punë të mira në drejtim të barazisë. Do të vazhdojmë edhe më tutje të punojmë deri në zbatimin e plot të kësaj marrëveshje”, është shprehur Ahmeti.

Lideri i BDI-së si të arritur të rëndësishme të kësaj marrëveshje ka përmendur edhe miratimin e Ligjit për gjuhët. Sipas tij, ky ligj duhet të zbatohet germë për germë. “Mendoj se në këtë drejtim nuk ka kthim pas. Ligji duhet zbatuar në përpikëri dhe germë për germë. Këtu nuk ka asnjë diskutim”, ka thënë Ahmeti.

Në këtë intervistë Ahmeti ka folur edhe për idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për korrigjimin e kufirit me Serbinë dhe bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. “Unë besoj tek institucionet e Kosovës. Besoj te Kuvendi i Kosovës, tek autoriteti i presidentit të Kosovës, tek autoriteti i kryeministrit të Kosovës, te kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe besoj tek opozita e Kosovës se do t’i mbrojnë interesat e qytetarëve të Kosovës. Me rëndësi për ne është që rajoni të jetë sa më stabil dhe të mbyllet procesi i demarkacionit edhe me Serbinë”, ka thënë Ahmeti.

“Epoka e re”: Z. Ahmeti, jemi në 17-vjetorin e marrëveshjes së Ohrit, cili është vlerësimi juaj për këtë marrëveshje?
Ahmeti: Në aspektin kohor rëndësi të veçantë ka kjo marrëveshje, sepse ishte momenti që u ndërpre lufta dhe iu dha hapësirë negociatave dhe dialogut. Dhe në negociata dhe dialog sigurisht se duhen të bëhen kompromise dhe si rezultat i këtij kompromisi u arrit marrëveshja paqësore e Ohrit, e cila ndryshoi statusin politik dhe juridik të shqiptarëve në Maqedoni. Kjo marrëveshje bëri përmirësimin e atyre gabimeve historike që kishin ndodhur në të kaluarën.

“Epoka e re”: Deri në çfarë mase ka avancuar statusin e shqiptarëve në Maqedoni kjo marrëveshje?
Ahmeti: Me këtë marrëveshje shqiptarët fituan barazinë e tyre dhe nga qiraxhinj që ishin në shtëpinë e vet u kthyen në zot shtëpie, me flamurin e tyre kombëtar, me universitetin e tyre në gjuhën amtare, me përfaqësim të drejtë si në ushtri dhe në polici, si dhe në përfaqësim të drejtë në administratë publike e atë shtetërore. Meqenëse është momenti, sa për simbolikë po ju tregoj se deri në vitin 2001 shqiptarët kanë pasur 150 policë në gjithë policinë e Maqedonisë, kurse sot janë mbi 2 000 policë dhe mbi 2 000 oficerë dhe nënoficerë në armatën e Republikës së Maqedonisë. Kështu që ka edhe shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim por deri më tani duhet të themi se vërtet janë bërë punë të mira në drejtim të barazisë. Do të vazhdojmë edhe më tutje të punojmë deri në zbatimin e plotë të kësaj marrëveshje.

“Epoka e re”: Sa jeni të kënaqur me zbatimin e kësaj marrëveshje deri më tani, sepse ka kritika në këtë drejtim?
Ahmeti: Tani ka mbetur për t’u aplikuar në praktikë edhe ligji i fundit që del nga kjo marrëveshje që është Ligji mbi përdorimin e gjuhëve, i cili ka kaluar në Parlamentin e Maqedonisë dhe tani është çështje ditësh apo javësh hyrja e tij në fuqi për zbatim të plotë. Sigurisht se zëra kritikë ka pasur dhe do të ketë edhe në të ardhmen, por unë më lart i numërova në mënyrë simbolike disa ndryshime që kanë ndodhur si rezultat i kësaj marrëveshje. Të flasësh për të arriturat e marrëveshjes së Ohrit duhen ditë të tëra dhe angazhim i një ekipi të tërë për ta zbardhur tërë marrëveshjen dhe zbatimin e saj. Mirëpo, mbi të gjitha, shqiptarët tashmë ndihen zot në shtëpinë e vet. Dhe tani përgjegjësia nuk duhet kërkuar te pala maqedonase, por te pala shqiptare sesa janë të zotë ata ta zbatojnë dhe ta materializojnë atë që e kanë arritur përmes sakrificave të mëdha, përmes një lufte e cila i ka dëshmorët dhe heronjtë e vet. Më meritorët e kësaj dite dhe të këtij ndryshimi të madh, sigurisht se janë heronjtë dhe dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

“Epoka e re”: Meqenëse jemi në prag të fuqizimit të Ligjit për gjuhën shqipe, cilat janë pritjet e juaja në zbatimin e tij në praktikë?
Ahmeti: Mendoj se në këtë drejtim nuk ka kthim pas. Ligji duhet zbatuar në përpikëri dhe germë për germë. Këtu nuk ka asnjë diskutim.

“Epoka e re”: Tani Maqedonia gjendet në një fazë tjetër të konsolidimit si shtet, pas marrëveshjes me Greqinë për emrin. Si e shihni të ardhmen e këtij shteti?
Ahmeti: Tani jemi në disa momente shumë të rëndësishme dhe historike. Pas nënshkrimit të marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, është arritur edhe marrëveshja historike me palën greke lidhur me çështjen e emrit, i cili kontekst daton tani e 25 vjet më parë. Kjo marrëveshje është arritur tashmë dhe më 30 shtator në Maqedoni do të organizohet një referendum, me të cilin kërkohet mbështetja e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë që ta mbështesin këtë marrëveshje, që ia hap dyert e ardhmërisë vendin tonë drejt NATO-s dhe BE-së. Ne e kemi rritur shkallën e gatishmërisë ashtu edhe të organizimit që ky referendum të jetë i suksesshëm dhe të përmbyllet një kapitull i rëndësishëm për vendin tonë. Ne tashmë ftesën për anëtarësim të Maqedonisë në NATO e kemi marrë dhe në qershor të vitit të ardhshëm hapen negociatat për anëtarësim në BE. Mirëpo nga ne kërkohet që referendumi të jetë i suksesshëm dhe të jemi të suksesshëm edhe në ndryshimin e kushtetutës, e cila kërkon dy të tretat e votave. Ky kapitull duhet të mbyllet deri në fund të vitit 2018.

BOX:

Ahmeti: Debati për korrigjimin e kufirit ngjason më shumë si një debat i imagjinuar sesa diçka konkret

 “Epoka e re”: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është zotuar se në Bruksel do ta prezantojë idenë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën përmes korrigjimit të kufirit me Serbinë. Cili është komenti juaj për këtë ide?
Ahmeti: Unë Kosovën nuk e ndiej vend të huaj, por vend timin dhe angazhohem të jem sa më afër zhvillimeve atje. Tani Kosova ka institucionet e veta për të cilat ka luftuar dhe sakrifikuar me shekuj. Unë besoj tek institucionet e Kosovës. Besoj te Kuvendi i Kosovës, tek autoriteti i presidentit të Kosovës, tek autoriteti i kryeministrit të Kosovës, te kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe besoj te opozita e Kosovës se do t’i mbrojnë interesat e qytetarëve të Kosovës. Me rëndësi për ne është që rajoni të jetë sa më stabil dhe të mbyllet procesi i demarkacionit edhe me Serbinë. Përderisa më herët me sukses është përmbyllur demarkacioni me Maqedoninë dhe tani së fundi është mbyllur demarkacioni edhe me Malin e Zi, sigurisht se Kosova për ta pasur vendin në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë dhe në OKB, duhet ta bëjë demarkacionin edhe me Serbinë. Deri më tani ky debat më ngjason më shumë si një debat i imagjinuar sesa diçka konkret. Unë nuk kam parë ndonjë diskutim apo ndonjë tryezë të rrumbullakët ku diskutohet për çështje konkrete. Mendoj se demarkacioni edhe me Serbinë përfundimisht i ndihmon Kosovës për të qenë anëtar i të gjithë mekanizmave botërorë. Kjo çështje domosdo do të ndodhë. Unë besoj, siç thashë, në institucionet e Kosovës që kanë përgjegjësi në këtë drejtim. Mendoj se ky problem nuk zgjidhet pa ndihmën e komunitetit ndërkombëtar dhe pa angazhim të drejtpërdrejtë të NATO-s, Brukselit dhe Uashingtonit, sepse këta kanë qenë dhe mbeten partnerët tanë strategjikë. Këta kanë qenë ndihmuesit e drejtpërdrejtë që Kosova ka ardhur deri në këtë moment ku ndodhet tani.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Parkingu nëntokësor tek Fakulteti Filologjik, është një nga projektet e…