Ahmeti: Marrëveshjet ndërkombëtare i ratifikon Kuvendi, jo presidenti
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti, duke iu referuar kërkesë së presidentit Hashim Thaçi drejtuar Gjykatës Kushtetuese se kush duhet t’i ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare, ka thënë se një gjë të tillë duhet ta bëjë Kuvendi, pasi Kosova është republikë parlamentare.
“Presidenti është i autorizuar të nënshkruaj marrëveshje ndërkombëtare, por jo të kësaj natyre, siç përshkruhet në letërkëmbimin ndërmjet tij dhe Mogherinit. Kushtetuta e ka vendosur Kuvendin për llojin e marrëveshjeve të cilat ratifikohen me 2/3 e të gjithë deputetëve të Kuvendit”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Ahmetit:
Kosova është Republikë Parlamentare
Për PSD-në është e qartë kërkesa e Presidentit të Republikës së Kosovës në lidhje me pyetjet e tij në lidhje me atë se kush duhet t’i ratifikojë marrëveshjeve ndërkombëtare. Ai e ka të qartë se si duhet të ecet tutje për këtë çështje. Por, ai dëshiron t’i ikë Kuvendit, përmes ndonjë interpretimi të Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti është i autorizuar të nënshkruaj marrëveshje ndërkombëtare, por jo të kësaj natyre, siç përshkruhet në letërkëmbimin ndërmjet tij dhe Mogherinit. Kushtetuta e ka vendosur Kuvendin për llojin e marrëveshjeve të cilat ratifikohen me 2/3 e të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me traktat ndërkombëtar që hyn në fuqi vetëm më nënshkrimin e presidentit të republikës, por nevojitet edhe një bashkësi kolektive, që korrespondon me 2/3 e të gjithë deputetëve. Kështu është vepruar edhe tre herët e kaluara, me ratifikimin e letër këmbimeve ndërmjet Presidentit dhe Përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Procesi i tanishëm duhet të kalojë përmes Kuvendit dhe jo përmes nënshkrimit të një personi, në këtë rast presidenti.
Republika e Kosovës, ashtu siç është e përcaktuar me Kushtetutë është demokratike dhe parlamentare, dhe pushtet janë të ndara për të vendosë për çështje të caktuara.
Në rastin konkret, te ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 2/3 e votave (80 deputetë) të të gjithë deputetëve i ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për çështjet si në vijim:
(1) territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake;
(2) të drejtat dhe liritë themelore;
(3) anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare;
(4) marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Republikës së Kosovës.
/Epoka e re/