Ahmeti: Me këtë lojë që po bën Serbia nuk hiqet taksa
Bashkëkryesuesi i ekipi negociator për dialogun me Serbinë, Shpend Ahmeti, ka reaguar ndaj fushatës serbe për tërheqjen e njohjeve për pavarësinë e Kosovës.
Ahmeti ka thënë se Brukseli po bën presion për heqjen e taksës, por jo edhe ndaj fushatës agresive të Serbisë.
Sipas tij, taksa është vendim i Qeverisë, por në këtë lojë të Serbisë nuk ka as kushte elementare për heqje të taksës apo dialog.
“Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiqi vazhdon luftën e tij diplomatike në përpjekje për t’i tërhequr njohjet e Kosovës, ka paralajmëruar edhe një ç’njohje për të hënën, duke shtuar se Serbia e ndalë fushatën agresive, atëherë kur ShBA e ndalë lobimin për Kosovën. Në të njëjtën kohë nuk po ndalet presioni nga Brukseli për heqjen e taksës, sepse nuk qenka në frymën e dialogut. Si na qenka kjo fushatë e Serbisë në frymën e dialogut? A do të ketë deklarata nga Brukseli sot? A do të ketë vizitë urgjente nga Hahni në Beograd? Taksa është vendim i Qeverisë, por në këtë lojë të Serbisë nuk ka as kushte elementare për heqje të taksës apo dialog”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/