Ahmeti mirëpret miratimin e rezolutës për çështjen e vëllezërve Bytyqi
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti, ka mirëpritur miratimin e rezolutës nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së për zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi.
Ahmeti në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se në qoftë se kemi mësuar diçka nga vëllezërit Bytyqi dhe ShBA-të është se duhet të kërkojnë drejtësi për të gjitha viktimat, për të gjitha familjet pa marr parasysh prej nga janë e kush janë ato.
Postimi i plotë i Ahmetit:
Ylli, Agroni dhe Mehmeti ishin edukuar në frymën e luftës për liri dhe ndihmës për popujt e shtypur. Mbase, të inspiruar nga fakti që u rritën në vend tjetër për shkak se ishin pjesë e një populli të shtypur. Pas përfundimit të luftës në Kosovë për të cilën kishin ardhur nga ShBA, deshten prapë ta ndihmojnë dikë tjetër. Të mbrojnë qytetarë romë nga persekutimi që mund të ju vinte nga vet bashkatdhetarët e tyre. Ky akt i fisnikërisë, barazisë e solidaritetit i dërgoi drejt vdekjes, për tu vrarë në Serbi pasi që ishin arrestuar e liruar për kalimin ilegal të kufirit pa e ditur fare se e kishin kaluar atë.
Edhe më tutje varret e tyre në Yonkers nuk mund të jenë të qeta për shkak se vrasësit e tyre janë të lirë. Dje, Kongresi Amerikan me votë unanime aprovoi rezolutën për pakënaqësinë me shtetin e Serbisë për mosveprimin në rastin e vëllezërve Bytyqi të cilët ishin shtetas amerikanë. Në Kosovë kjo u përshëndet nga disa si përkrahje unanime e ShBA për Kosovën.
Megjithatë…kjo është përkrahje për drejtësi. Përkrahje për të drejtën e familjes Bytyqi ta dinë se kush i vrau fëmijët e tyre dhe për çfarë arsye. Përkrahje për dënimin e merituar të vrasësve. Sa e sa familje janë që nuk e dinë fare fatin e njerëzve më të afërt. Dhe, në qoftë se kemi mësuar diçka nga vëllezërit Bytyqi dhe ShBA-të është se duhet të kërkojmë drejtësi për të gjitha viktimat, për të gjitha familjet pa marr parasysh prej nga janë e kush janë.
“There is a certain enthusiasm in liberty, that makes human nature rise above itself, in acts of bravery and heroism.” “Ka një lloj entuziazmi në liri, që e bën natyren e njerit të ngritet mbi veten, në akte të trimërisë e heroizmit.” /Alexander Hamilton/
/Epoka e re/