Ahmeti: Mos t’i shkojë mendja dikujt që t’i fajësojë mjekët
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar së fundmi me Covid-19 në Kosovë, ku dje dhe sot kanë humbur jetën nga ky virus 13 persona.
“Ajo që po mungon në Kosovë janë informata, strategjia, dhe skenarët e ndryshme. Dhe kur nuk i ke informatat, politikat ose mungojnë ose nuk janë të bazuara në informatë. Politika të tilla janë ad-hoc. Politikat ad-hoc nuk e kanë efektin e duhur dhe lënë hapësirë edhe për t’u sulmuar edhe për t’u keqinterpretuar. Por më së keqi kanë pasoja në shëndet”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Askush nuk pret nga qeveria të jenë ekspertë të luftës ndaj covidit. Por po ashtu presim që disa çështje të adresohen”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka theksuar se distanca dhe maskat nuk e vrasin virusin, por e ngadalësojnë përhapjen.
Reagimi i plotë i Ahmetit:
Prej fillimit, çdo shtet vetëm një qëllim e ka pas – ngadalësimin e përhapjes në mënyrë që sistemi me pas mundësi me u përball me virusin që nuk e njeh.
Në fillim, masat ishin më të rrepta derisa u kuptua pak më mirë virusi dhe deri sa sistemet shëndetësore kishin mundësi të riorganizohen dhe furnizohen për tu përball deri në hapjen e ekonomive.
Edhe sot qëllimi është i njëjtë, të ngadalësohet përhapja që mos të ketë më shumë pacientë se sa kapacitete. Pra 200 të shtrirë në QKUK është e menaxhueshme, 1 200 JO. Një pjesë bazohet në përgjegjësinë e qytetarëve. Distanca dhe maskat nuk e vrasin virusin, por e ngadalësojnë përhapjen.
Vdekjet do të ndodhin dhe çdo jetë është e vlefshme. Por dallon vdekja nga sëmundja nën përkujdesin e mjekut dhe me kushte, nga vdekja pse dikush nuk ka pas krevat, oksigjen e mjekë. E në atë drejtim po shkojmë.
Ka dallim në mes të fazës së mbylljes dhe fazës se hapjes. Këtë mund ta shohim në krejt shtetet ku nuk është ndërruar qeveria, por është hapur shoqëria. Pra, janë shtuar rastet. Mjafton të shohim Serbinë, Kroacinë, Maqedoninë e Shqipëri.
Por ajo që po mungon në Kosovë janë informata, strategjia, dhe skenarët e ndryshme. Dhe kur nuk i ke informatat, politikat ose mungojnë ose nuk janë të bazuara në informatë. Politika të tilla janë ad-hoc. Politikat ad-hoc nuk e kanë efektin e duhur dhe lënë hapësirë edhe për t’u sulmuar edhe për t’u keqinterpretuar. Por më së keqi kanë pasoja në shëndet.
Ende jemi me 300 teste në ditë, ende nuk kemi profil të komplikimeve dhe ende nuk kemi studim epidemiologjik të zhvillimit të sëmundjes në Kosovë. Plotë gjana mund të bëhen pa u kthy masat e plota restriktive.
Shtimi i numrit të infektimeve janë pasojë normale e hapjes, rrjedhimisht edhe shtimi i infektimeve të personave të rrezikuar. Rrjedhimisht edhe vdekjet nga Covidi janë shtuar.
Por, numri i vogël i testeve nuk është pasojë. Mungesa e hulumtimeve ku marrin pjesë edhe institucionet private nuk është pasojë e hapjes. E të tjera, e të tjera.
Askush nuk pret nga qeveria të jenë ekspertë të luftës ndaj covidit. Por po ashtu presim që disa çështje të adresohen. Në qoftë se kjo është luftë ping pongu në mes të qeverisë e opozitës (keqmenaxhimi vs, papërgjegjësia me protesta) atëherë përnime qytetarëve i mbeten vetëm maskat.
Nuk është marre me kërku ndihmë qeveria, e as nënshtrim me i ndihmu dikush nga opozita.
Marre është me vdek më shumë njerëz për shkak se nuk keni bërë diçka që e keni ditur se duhej bërë.
P.S. FALENDERIMI EDHE ME TUTJE I SHKON MJEKËVE E PERSONELIT SHËNDETËSOR QË JANË LODH E STËRLODH, KANË RREZIKUAR VETEN E FAMILJET DHE VAZHDOJNË. MOS TI SHKOJ MENDJA DIKUJT ME I FAJËSU ATA PËR SITUATEN.