Ahmeti: Mosanëtarësimi në Interpol s’duhet ta demotivojë Kosovën
Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, ka thënë se institucionet e vendit janë angazhuar mjaft, por lobimi i mbrapshtë i Serbisë dhe aleatëve të saj i pamundësuan Kosovës që të bëhet anëtare e Interpolit.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se mospranimi i Kosovës në këtë organizatë është gabim meqë siguria globale është interes i përgjithshëm.
Ahmeti ka deklaruar se shtetet anëtare është dashur të insistojnë që Kosova të bëhet pjesë e Interpolit dhe jo të votojnë kundër.
“Mosanëtarësimi në Interpol na ka dëshpëruar të gjithëve dhe unë nuk kam pritur një gjë të tillë. Përkundrazi, kam pritur që shtetet anëtare do të insistojnë që Kosova të bëhet pjesë e Interpolit dhe jo të votojnë kundër”, është shprehur ai, duke shtuar se kjo disfatë nuk duhet ta demotivojë Kosovën. Përkundrazi, Ahmeti ka theksuar se Policia e Kosovës duhet të jetë stabile, e fuqishme dhe ta vazhdojë luftimin e krimit.
“Policia e Kosovës duhet të dëshmojë edhe më tutje se është partnere e sigurt dhe e besueshme për të koordinuar dhe bashkëpunuar me të gjitha agjencitë policore të vendeve të botës”, ka theksuar ai.
Sipas Ahmetit, asnjëherë Kosova nuk duhet të heqë dorë nga nevoja e të qenit anëtare e Interpolit.
Pavarësisht prej mosanëtarësimit në Interpol, ai është shprehur i bindur se Policia e Kosovës do të angazhohet edhe më fuqishëm për luftimin e krimit.
“Jam shumë i sigurt se Policia e Kosovës do ta bëjë punën e vet, pra do ta luftojë në çdo formë krimin dhe Kosova nuk do të mbetet mbrapa në këtë drejtim. Përkundrazi, do të jetë shembull i një vendi ku luftohet e keqja dhe ku do të ketë rend, qetësi dhe rregull”, ka thënë Ahmeti.
“Epoka e re”: Z. Ahmeti, si e komentoni mospranimin e Kosovës në Interpol?
Ahmeti: Fatkeqësisht, Kosova nuk arriti të pranohet në Interpol. Nuk kam pritur të ndodhë një gjë e tillë sepse kam besuar se Kosova do të bëhet anëtare e barabartë e vendeve të Interpolit. Por, lobimi i mbrapsht i Serbisë dhe aleatëve të saj ia pamundësuan Kosovës të bëhet anëtare e kësaj organizate. Është gabim i madh dhe nga kjo nuk fiton as Serbia. Fitojnë ata që dëshirojnë ta shohin Kosovën vend ku do të lulëzojë krimi i organizuar. Jam shumë i sigurt se Policia e Kosovës do ta bëjë punën e vet, pra do ta luftojë në çdo formë krimin dhe Kosova nuk do të mbetet mbrapa në këtë drejtim. Përkundrazi, do të jetë shembull i një vendi ku luftohet e keqja dhe ku do të ketë rend, qetësi dhe rregull.
“Epoka e re”: Cilat janë arsyet kryesore që Kosova nuk arriti të bëhet pjesë e kësaj organizate të sigurisë?
Ahmeti: Policia e Kosovës ka dhënë dëshmi të mjaftueshme me punën e vet të palodhshme dhe profesionale. Operacionet e shumta të cilat i ka realizuar kanë qenë shumë të suksesshme, prandaj nuk besoj se ka munguar asgjë, mirëpo Serbia me aleatët e vet kanë bërë gjithçka që Kosova mos të pranohet në Interpol. Kosova kurrë nuk do të jetë oazë e kriminelëve, por do të jetë vend i qetë, ku do të ndihen të lirë dhe të sigurt të gjithë qytetarët.
“Epoka e re”: Ka pasur lobim të duhur nga diplomacia dhe politika e Kosovës për këtë proces?
Ahmeti: Konsideroj se institucionet e Kosovës kanë bërë çdo gjë që ka qenë e mundshme. Janë angazhuar, kanë lobuar dhe në çdo kohë kanë vrapuar pas nevojës për të qenë anëtare të Interpolit, por edhe përkundër kësaj, Serbia ia ka dalë t’i bindë shtetet e tjera që të votojnë kundër. Vota kundër e këtyre shteteve është gabim sepse siguria kombëtare dhe globale është interes i përgjithshëm dhe Kosova do të kontribuojë që kjo siguri të jetë në nivel të duhur.
“Epoka e re”: Pse Serbia ia doli, me aleatët e vet, dhe jo Kosova e cila e kishte mbështetjen e disa shteteve të fuqishme, të Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të tjera?
Ahmeti: E keni parë deklaratën për medie të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes së cilës përkrahet fuqishëm Republika e Kosovës dhe Policia e Kosovës?! Nuk dyshoj fare në atë se miqtë dhe aleatët tanë nuk kanë bërë çdo gjë për t’u anëtarësuar Kosova në Interpol por, për fat të keq, ndodhi kjo që ndodhi.
“Epoka e re”: Do të thotë kanë dështuar disa prej shteteve më të fuqishme në botë karshi Serbisë dhe aleatëve të saj?
Ahmeti: Nuk do të them se kanë dështuar sepse angazhimi i tyre nuk ka munguar. Ato kanë qenë absolutisht pro anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe sigurisht se edhe në të ardhmen do të na mbështesin në të gjitha sfidat dhe nevojat që do t’i ketë Kosova, mbi të gjitha Policia e Kosovës. Policia e Kosovës është dëshmuar me angazhimin, punën dhe profesionalizimin e vet. Të gjitha trajnimet që i ka realizuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit policia ka treguar rezultate të mira. Prandaj mosanëtarësimi në Interpol na ka dëshpëruar të gjithëve dhe unë nuk kam pritur një gjë të tillë. Përkundrazi, kam pritur që shtetet anëtare do të insistojnë që Kosova të bëhet pjesë e Interpolit dhe jo të votojnë kundër.
“Epoka e re”: Pse një numër i konsideruar i shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës kanë votuar kundër pranimit të saj në Interpol?
Ahmeti: Nuk dua ta komentoj këtë çështje. Policia e Kosovës është shumë profesionale dhe besoj se në të ardhmen mund ta kemi mbështetjen edhe të atyre shteteve.
“Epoka e re”: Serbia po i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Interpol për shkak se në të ardhmen zyrtarët e saj mund të jenë cak i Interpolit për shkak të veprimtarisë së tyre kriminale?
Ahmeti: Serbia nuk e dëshiron Kosovën të sigurt, të qetë, të prosperuar, por e do një Kosovë me gjendje kaotike dhe me krim dhe, natyrisht, për këtë bën çdo gjë. Por jam i sigurt se Policia e Kosovës do ta vazhdojë punën e vet me këmbëngulje për të ofruar siguri, rend dhe rregull për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe më gjerë.
“Epoka e re”: Sipas mendimit tuaj, cilët janë hapat që duhet të ndiqen tash e tutje?
Ahmeti: Policia e Kosovës duhet ta vazhdojë punën, angazhimin dhe koordinimin me të gjitha agjencitë policore për realizimin e aksioneve të shumta për t’i ndërprerë veprimet kriminale të çfarëdo forme, mbi të gjitha krimin e organizuar, terrorizmin dhe ekstremizmin.
“Epoka e re”: Në vazhdimësi ju e lavdëruat policinë dhe punën e saj. Do të thotë kjo se Policia e Kosovës është mjaftueshëm e përgatitur dhe profesionale për t’u bërë pjesë e organizatës më të madhe të sigurisë, por ka dështuar për shkak të politikës?
Ahmeti: Nuk do të them se ka dështuar për shkak të politikës sepse politika ka bërë punën dhe angazhimin e vet. Mirëpo mundësitë e Kosovës janë këto që janë. Nuk po e lavdëroj Policinë e Kosovës, por është realitet ajo që po them, sepse deri më tani është dëshmuar profesionalizmi i saj. Edhe sa kam qenë pjesë aktive e saj, edhe tani ndihem mirë dhe jem i bindur se Policia e Kosovës do ta bëjë punën më të mirë të mundshme sepse ajo është në interes të qytetarëve tanë.
“Epoka e re”: Nuk duhet të demotivohemi nga humbja e “betejës” së Interpolit?
Ahmeti: Absolutisht nuk duhet të demotivohet as policia e as Kosova. Përkundrazi, Policia e Kosovës duhet të jetë stabile, e fuqishme dhe duhet ta vazhdojë punën e vet për luftimin e së keqes dhe krimit. Policia e Kosovës duhet të dëshmojë edhe më tutje se është partnere e sigurt dhe e besueshme për të koordinuar dhe bashkëpunuar me të gjitha agjencitë policore të vendeve të botës.
“Epoka e re”: Pavarësisht prej kësaj disfate, Kosova duhet t’i vazhdojë përpjekjet për t’u bërë pjesë e Interpolit, qoftë edhe në vitin e ardhshëm, apo duhet pritur normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë?
Ahmeti: Asnjëherë Kosova nuk duhet të heqë dorë nga nevoja e të qenit anëtare e Interpolit. Në këtë aspekt duhet të bëhen punë, përkushtim dhe angazhim. Unë i përgëzoj kolegët e mi për punën e mirë që po bëjnë dhe dështimi në Interpol nuk duhet t’i demotivojë ata, përkundrazi duhet t’i fuqizojë që të jenë të vendosur në punën e tyre sepse Kosovës nuk ia duan të mirën ata që duan ta shohin vendin tonë të zhytur në krim. Prandaj jam i bindur se Policia e Kosovës do të angazhohet edhe më fuqishëm për luftimin e krimit.
Shqipe HETEMI