Ahmeti: Në ditët e ardhshme gjendja mund të jetë edhe më keqe

12 nëntor 2020 | 09:01

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar sot Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për ta parë gjendjen nëpër dhoma të spitaleve pas rritjes së rasteve me koronavirus, raporton Express.

Se çfarë është diskutuar gjatë takimit me Hotin dhe Zemajn, ka treguar infektologu Salih Ahmeti. Sipas tij, kjo fazë është më e rënda për menaxhimin e pandemisë. Ai tregoi se biseduan për të gjitha problemet në mënyrë që asgjë të mos i befasojë, duke llogaritur edhe skenarët më të ashpër të mundshëm në ditët e ardhshme.

“Biseduam për fazën, që unë mendoj është fazë e pritshme dhe më e rënda që mund të jetë për menaxhimin e pandemisë, përveç faktit se jemi në një fazë ku, përveç virusit Covid-19, mund të kemi edhe shtesë virusin sezonal që na e vështirëson menaxhimin. Ne i biseduam në mënyrë të qetë të gjitha problemet rreth menaxhimit në mënyrë që asgjë të mos na duket befasi, duke llogaritur edhe skenarët më të ashpër të mundshëm ditët e ardhshme. Besoj se përkundër çfarëdo situate që mund të ndodhë, do të jemi të gatshëm ta ofrojmë ndihmën profesionale dhe menaxheriale”, ka deklaruar Ahmeti.

Ndërsa për gjendjen në spitalet e vendit foli ushtruesi i detyrës i drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Saudin Maliqi. Ai tha se janë të ngarkuar me valën e dytë të infeksionit, por se janë duke bërë përpjekje maksimale që ta menaxhojnë këtë sfidë në mënyrën e duhur. “Ne raportuam mbi gjendjen momentale në SHSKUK.  Ne, siç e dini, jemi të ngarkuar me valën e dytë të infeksionit, jemi duke bërë përpjekje dhe jemi në mobilizimin e shkallës së lartë me krejt personelin menaxherial dhe shëndetësor që të arrijmë që këtë sfidë ta menaxhojmë në mënyrën e duhur. Ju sigurojmë se tani situata është nën kontroll. Kemi përkrahjen absolute të kryeministrit dhe mbështetjen e ministrit që në çdo kohë për çka na duhet do të jenë pranë. Do t’ju informojmë në çdo kohë për mënyrën e menaxhimit si dhe sfidat se si do të tejkalohen”, tha Maliqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka fituar edhe dy shtete…