Ahmeti në takim me ambasadorin Qehaja: Pajtimi shqiptaro – serb duhet të arrihet me njohjen e pavarësisë së Kosovës
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka zhvilluar një takim pune me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja.
Ahmeti dhe Qehaja kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe rajon, integrimin evropian, marrëveshjen e Ohrit dhe për marrëdhëniet bilaterale midis Shkupit dhe Prishtinës.
Ahmeti ka theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është në funksion të politikës ditore të qeverisë me legjitimitet monoetnik dhe është në vazhdën e vendimeve që rëndojnë marrëdhëniet ndëretnike dhe cenojnë marrëveshjen e Ohrit, të garantuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu, Ahmeti është shprehur i brengosur për distancimin e vendit nga integrimi evropian dhe nga vlerat evropiane dhe partneriteti ne ShBA-në.
Kryetari Ahmeti ka siguruar ambasadorin e Kosovës që BDI-ja do të vijojë të jetë tërësisht e angazhuar për ta integruar vendin në Bashkimin Evropian dhe insiston në përshpejtim të procesit dhe zbatimit të obligimeve tona si shtet, në veçanti ndryshimet kushtetuese.
“Në takim u diskutua për nevojën e zbatimit të kontrollit të përbashkët kufitar me Kosovën, proces ky i rrumbullakësuar administrativisht tashmë, në mënyrë që të evitohen radhët e gjata në kufi dhe të lehtësohet lëvizja e njerëzve dhe mallrave. Gjithashtu, dy kilometrat e para të autostradës nga Kosova drejt Shkupit janë përfunduar tërësisht dhe duhet të vihen në përdorim, ndërsa 10 kilometërshi vijues nuk duhet të pengohet dhe të përzgjidhet realizuesi i punimeve pa vonesa politike. Ali Ahmeti nënvizoi që pajtimi i madh shqiptaro – serb duhet të arrihet nëpërmjet të njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe kjo do të mundëson rajon stabil, të sigurt, në paqe dhe me perspektivë evropiane”, ka njoftuar BDI-ja.