Ahmeti: Nuk i kemi votat për rrëzimin e qeverisë
Kreu i Komunës së Prishtinës, njëherësh kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka bërë me dije se opozita nuk i ka votat e nevojshme për rrëzimin e qeverisë.
Pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, Ahmeti ka treguar se me votat e Listës Serbe nuk janë të interesuar ta rrezojnë qeverinë.
“Me i pas votat na e kishim thirr seancën. Me Listën Serbe s’jemi të interesuar me e rrëzuar qeverinë”, ka thënë Ahmeti.
Kurse kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se nuk i frikësohet mocionit të mosbesimit.
Ai ka deklaruar se mburret me punën që ka bërë si kryeministër deri më tani.
“Secili frikësohet mos po e rrëzojnë, kur kam qenë në opozitë kam qenë pak më rehat e tash po kam punë shumë. Edhe sikur të ishte dita e fundit e qeverisë unë shkoj në shtëpi me mburrje me atë çfarë kam bërë”, ka thënë Haradinaj.