Ahmeti pas takimit me Mustafën: Po hapet rruga për bashkëpunim mes PSD-së dhe LDK-së
Lideri i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti, ka thënë se takimi me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka qenë pozitiv dhe se kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.
Pas këtij takimi Ahmeti ka treguar se po hapet rruga për një bashkëpunim më thelbësor në mes të PSD-së dhe LDK-së.
“Vazhduam diskutimet dhe konsultat që i kemi bërë me herët, për bashkëpunimin tash në prag të zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve. Dhe i diskutuam temat të cilat janë të rëndësishme edhe për PSD-në edhe për LDK-në sa i përket programeve zgjedhore dhe qeverisës. Mund të them se ishte takim goxha pozitiv në frymë të bashkëpunimit. Po hapet rruga për një bashkëpunim më thelbësor në mes të PSD-së dhe LDK-së”, është shprehur Ahmeti, raporton “Epoka e re”.
Kurse sa i përket koalicionit parazgjedhor LDK-PSD ai ka thënë se nuk e di a do të ndodhë meqë sipas tij, LDK-ja është më shumë e interesuar që të garojë e vetme në zgjedhje.
“Nuk e di, do të bisedojmë. LDK-ja është më e interesuar që të shkojë vetë në zgjedhje. Natyrisht varësisht prej rrethanave të tjera do t’i shqyrtojnë këto çështje. Por po e them se në frymën e bashkëpunimit i kemi të hapura të gjitha temat prej dialogut deri të aspektet ekonomike e lufta kundër korrupsionit. U dakorduam që së pari më 22 gusht të jemi të gjithë në sallë për të siguruar shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje. Datën që po kërkojmë më shumë është 6 tetori”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka folur edhe për mundësin e koalicionit me AAK-në, duke thënë se për këtë do të vendosin strukturat e dy partive.
“Sot kemi mbledhje të këshillit ku do t’i diskutojmë të gjitha këto takimet që i kemi pasur këto ditë me subjektet politike. kemi një përafrim të qëndrimeve me AAK-në sa i përket politikave që ne i kërkojmë, kushteve që i kemi vendos dhe bashkëpjesëmarrjes në listë”, ka deklaruar Ahmeti.
/Epoka e re/