Ahmeti për gjykimin në Hagë: Pres që ky proces të përfundoi ashtu siç e presin të gjithë shqiptarët
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë se pamjet nga Haga e kthejnë pas në kohë, duke kujtuar se kështu mblidheshin kudo në Evropë për të protestuar për shkeljet që u bëheshin popullit shqiptar.
Duke komentuar fillimin e procesit gjyqësor ndaj katër liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
“Pres që ky proces të përfundoi ashtu siç e presin të gjithë shqiptarët. Koha dëshmoi që ne që demostronim para gjithë këtyre kancelarive, gjithë këto peticione, u vërtetua që shqiptarët po diskriminoheshin ndaj shqiptarëve”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se ndaj shqiptarëve është ushtruar dhunë sistematike.
“Ishte ushtruar dhunë sistematike që pas vendosjes së regjimit komunist policor që nga viti 1945 dhe u jemi mirënjohës, falënderues Evropës, Amerikës, që vlerësuan më në fund se shqiptarët kishin të drejtë dhe e ledhatuara e quajtur, Jugosllavi, përfundoi në greminë”, ka thënë Ahmeti për “TV Dukagjini”.
Ahmeti ka thënë se për të është e pakuptimtë që pas 23 vitesh të ngrihet aktakuzë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Të ngrihet një aktakuzë e tillë dhe të merren për bazë njerëz edhe pa adresë do të thosha është e pakuptimtë. Nuk e di se si ky trup i prokurorëve dhe i gjykatësve mund të bazohen dhe të nxjerrin një epilog që të dënohen ata që nuk duhet dënuar”, ka thënë Ahmeti.
Më tutje, Ahmeti ka theksuar se UÇK-ja është një vërtetë e madhe dhe të gjitha njësitet e saj kanë pasur qëllimin e njëjtë që të mbrohet dinjiteti i vendit.