Ahmeti për taksën: Tash i mbetet Kosovës të vendos se cili është interesi strategjik
Bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror, Shpend Ahmeti, ka reaguar ndaj njoftimit të Presidencës së Kosovës, në të cilin thuhet se në takim me zyrtarët e lartë amerikanë anëtarët e ekipit negociator kanë shprehur gatishmërinë për suspendimin e taksës.
Në profilin e vet në “Facebook”, Ahmeti ka shkruar se qëndrimi i ShBA-së për këtë çështje është i qartë, sikurse arsyeja e vendosjes së kësaj takse.
Sipas tij, tash i mbetet Kosovës të vendos se cili është interesi i saj strategjik.
Postimi i plotë i Ahmetit:
Disa media po informojnë se Delegacioni Shtetëror kinse qenka deklaruar për suspendimin e taksës.
Delegacioni Shtetëror nuk është deklaruar për suspendimin e taksës. Ka qëndrime te subjekteve të ndryshme dhe ato janë tashmë të njohura për publikun. Për më shumë, as unë nuk jam deklaruar për suspendimin, as në këto takime dhe as në takime tjera. Kemi folur për arsyeshmërinë e taksës dhe pse ka qenë e nevojshme.
Qëndrimi i SHBA është i qartë. Edhe arsyeja e taksës është e qartë. Tash i mbetet Kosovës me vendos se cili është interesi strategjik. Çfarëdo veprimi që shihet si fitore personale dhe fitore elektorale e dëmton Kosovën dhe pozicionin negociator të saj.
/Epoka e re/