Ahmeti, përfituesve të granteve: Sillni dokumentet
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve përfituese të grantit për bizneset e prekura nga Covid-19, që t’i dorëzojnë dokumentacionet e plotësuara për përfitim të këtyre granteve.
“Të gjitha bizneset përfituese të grantit për bizneset e prekura nga #covid19 e kanë obligative t’i dorëzojnë të fotokopjuara qartë e ta plotësojnë dokumentacionin duke dorëzuar: Letërnjoftimin valid, kopje në të dyja anët, konfirmimin e llogarisë bankare në emër të biznesit, certifikatën e re të biznesit (që ka numrin unik identifikues ku fillon me nr. 81 dhe është 9 shifror. Dokumentacioni do të dorëzohet në sportelet në katin përdhes të ndërtesës së vjetër të Komunës”, thuhet në njoftimin e Ahmetit.
“Në mënyrë që t’i shmangim tollovitë dhe respektojmë masat mbrojtëse për #covid19, bizneset do të duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar sipas orarit të caktuar në linkun më poshtë në të kundërtën nuk mund ta bëjmë pranimin e dokumenteve. Për pranim do të përkujdeset ekipi i zyrtarëve komunal!”, ka shkruar ai.