Ahmeti premton rimëkëmbjen e Pallatit të Rinisë
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka vizituar të enjten Pallatin e Rinisë, e para kjo vizitë pas kalimit në pronë komunale.
Ahmeti ka thënë se deri në fund të vitit do të ketë një ide më të qartë për rimëkëmbje, siç e cilëson ai “gjiganti të Prishtinës”.
Kryetari i Prishtinës ka thënë se do të ketë disa faza, ku në fillim do të fokusohet në ato emergjente, që sipas tij janë pagesat e punëtoreve dhe borxhet e pallatit.
“Do të ketë disa faza të rimëkëmbjes, faza e parë është emergjente, duhet ta stabilizojmë, sa i përket dhe pagave të punëtorëve, pastaj dhe në borxhe, sepse borxhet arrijnë mbi tre milionë euro, duhet ta riprogramojmë atë borxh”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka theksuar se bashkë me aksionarët dhe drejtorin e Pallatit të Rinisë do të diskutojnë disa projekte për rimëkëmbje të pallatit, ku përfshihen, parkingun që është tek salla e djegur, qendrën kulturore të fëmijëve, ku janë Salla e Kuqe, Galeria, etj.
Ndërsa, drejtori i Pallatit të Rinisë, Ilir Dugolli, ka thënë se pas një kohe të gjatë, Pallatit të Rinisë pritet t’i kthehet vlera. Pasi, sipas tij ky Pallat është gjendur në vështirësi të mëdha, si me objekt, ashtu dhe me paga të punëtorëve.
/Epoka e re/