Ahmeti pret në takim liderin e PDK-së, tregon për temat që biseduan

09 shtator 2022 | 17:04

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Ahmeti përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Krasniqit i ka uruar punë të mbarë në drejtimin e subjektit politik që me jetëgjatësinë në skenën politike të Kosovës është aset i çmuar i vendimmarrjes progresive, duke uruar edhe lirimin sa më të shpejtë të themeluesve të këtij subjekti që janë njëherit kontribuesit më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës.

“Diskutuam bashkë për momentumin politik dhe socio-ekonomik në të cilin ndodhen vendet tona, për sfidat që tejkaluam në rrugën e lirisë dhe barazisë dhe për ata që na presin në rrugën drejt të ardhmes evropiane”.

“Shprehëm rëndësinë e madhe të tejkalimit të kontestit të vendit tonë dhe Bullgarinë, si dhe atë të Kosovës me Serbinë mbi parimet e njohjes së ndërsjelltë dhe me përkrahjen e parezervë të faktorit ndërkombëtar”, ka shkruar Ahmeti.

Lideri i BDI-së ka thënë se bashkë duhet të mbetemi të fokusuar për të konkretizuar projektet e ndërlidhjes infrastrukturore mes nesh, për të ruajtur partneritetin euro-atlantik dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin në menaxhimin e krizës ekonomike dhe energjetike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet gjermane kanë njoftuar zyrtarisht se vendi do të prezantojë…