Ahmeti: PSD-ja do të jetë forca kryesore politike në vend
Kryetari i komunës së Prishtinës, njëherësh lider i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti, ka thënë se kjo parti do të jetë njëra prej forcave kryesore politike në vend.
Gjatë një konferencë për medie, Ahmeti ka thënë se prioritet për të, mbetet qeverisja e komunës së Prishtinës.
Ai ka thënë se nuk ka arsye që në Kuvendin Komunal të Prishtinës të ketë bllokadë.
Ahmeti në këtë drejtim ka thënë se parasheh vetëm diskutim të mirëfilltë, demokraci dhe kalim të propozimeve të mira.
I pyetur për mundësinë e riformatimit në komunë, pas zhvillimeve të fundit, Ahmeti ka thënë se nuk do të ketë ndryshime dhe se është shumë i kënaqur me punën e drejtorëve, të cilët vijnë nga radhët e Vetëvendosjes.
Më tutje, Ahmeti është shprehur i hapur për bashkëpunim me ish-kolegët e tij nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai ka thënë se ata së bashku duhet ta luftojnë të keqen që po i ndodh vendit dhe jo që ta kthejnë luftën kundër njëri-tjetrit.
Foto nga konferenca për medie e Shpend Ahmetit