Ahmeti: Qeveria të reflektojë mbi kërkesat e zjarrfikësve
Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh bashkëthemelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), në profilin e vet në “Facebook” ka reaguar për protestën e paralajmëruar të zjarrfikësve shpëtues, e cila do të mbahet këtë të enjte në orën 10:00, para Qeverisë së Kosovës.
Ai ka thënë se Qeveria duhet të reflektojë mbi kërkesat e zjarrfikësve.
“Zjarrfikësit në Kosovë duhet të merren seriozisht. Jo vetëm kur protestojnë ose kur detyrohen të kërcënojnë me protesta. Por, duhet qasje institucionale ndaj këtij mekanzimi aq të rëndësishëm për sigurinë e qytetarëve dhe pronës së tyre. Problemet evidente të grumbulluara me vite të tëra, sigurisht se shkaktojnë indinjatë dhe revoltë te kjo kategori punëtorësh sakrifikues në Kosovë. Qeveria do të duhej të reflektojë mbi kërkesat e tyre. Nuk guxojmë të rrezikojmë me këtë institucion të rëndësishëm të sigurisë. As nuk duhet të detyrohen zjarrfikësit të hynë në grevë”, ka thënë Ahmeti.
/Epoka e re/