Ahmeti reagon për gjendjen e ajrit në Prishtinë, ka një kërkesë për Qeverinë
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se ditëve të fundit kryeqyteti po ballafaqohet me nivele të larta të ndotjes.
Ahmeti nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook” ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i mbledhë të gjitha institucionet përgjegjëse përfshirë komunat e prekura për të diskutuar masat e mundshme afatshkurta lidhur me gjendjen e ajrit.
Postimi i plotë i Ahmetit:
Ditëve dhe javëve të fundit Prishtina po ballafaqohet me nivele të larta të ndotjes, posaçërisht në grimcat 2.5 mm të cilat po publikohen nga matësi i vendosur nga Ambasada Amerikane në Arbëri/Dragodan. Kjo është pika më e ndotur në Prishtinë për shkak të afërsisë me Termocentralet në Obiliq.
Edhe në pikat tjera që i kemi vendosur si komunë vërehet një gjendje më e rëndë por në bashkëpunim më Ministrinë e Mjedisit po punojmë për verifikimin e saktë të informatave.
Burimet e ndotjes mund të ndahen në disa pika:
1. Termocentralet
2. Metodat alternative të ngrohjes (djegia e drunjve dhe qymyrit)
3. Trafiku
4. Kushtet atmosferike
5. Gjelbërimi i pamjaftueshëm dhe ndërtimet
Si Komunë janë disa politika që mund ti ndikojmë e disa të tjera që nuk mundemi (termocentralet nuk mund t’i lëvizim).
Në aspektin afatmesëm kemi disa projekte që do ta përmirësojnë gjendjen:
1. Zgjerimi i Ngrohjes qendrore – përveç fazës se tanishme ku me financimin e qeverise gjermane dhe Komisionit Evropian do te kyçen edhe mbi 5 mijë njësi banesore, në takim me qeverinë kemi kërkuar dyfishimin e kapaciteteve në KEK (kosto rreth 25 milion euro) që brenda 5-7 viteve do të zvogëlonte dukshëm ngrohjen alternative
2. Reforma e transportit publik
3. Ngritja e vazhdueshme e hapësirave gjelbëruese
Në takim me ministren Reshitaj kemi diskutuar edhe hapat afatshkurtër e ku ne si komunë pasi të marrim të dhënat zyrtare nga Ministria do të mund të mbyllnim rrugë të kryeqytetit për qarkullim (përveç transportit publik) në orare të caktuara. Edhe pse, për shkak të pozitës së Prishtinës, ndotja më e madhe është në mbrëmje kur nuk ka qarkullim të veturave.
Sa për informatë:
1. Informatat zyrtare mbi gjendjen e ajrit i jep Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit
2. Këshillat shëndetësore i jep Instituti për Mbrojtjen e Shëndetit Publik.
Komuna do të vazhdojë të merr masa afatshkurta dhe afatmesme në përputhje me vlerësimet dhe analizat e të gjitha institucioneve përgjegjëse në Republikën e Kosovës. Javën tjetër mund të priten reduktime në trafik për shkak të gjendjes momentale. Kjo gjendje është e rëndë edhe për shkak te kushteve atmosferike që janë paralajmëruar për Kosovë, Maqedoni e Bullgari.
I bëj ftesë qeverisë që të mbledh të gjitha institucionet përgjegjëse përfshi komunat e prekura për të diskutuar masat e mundshme afatshkurta.