Ahmeti: S’kam parë askënd nga UÇK-ja të ketë dhënë urdhra të turpshëm
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka thënë se në Kosovë opinioni duhet të dijë që çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet mes dy shteteve, përfshihen kompromise që s’do të kënaqin të gjithë.
Ahmeti ka folur lidhur me procesin e arritjes së marrëveshjes historike Maqedoni – Greqi, që shpiu në ndryshimet kushtetuese duke çuar në ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut. E ka quajtur proces të komplikuar dhe me kompromise jo të lehta. Ka thënë se në këtë proces ka pasur shumë emocione, por ka shtuar se marrëveshja mes dy shteteve do të sjellë dobi, edhe jashtë dy vendeve. Ahmeti ka thënë se tash janë hapur rrugët për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian për Maqedoninë.
Duke folur për rolin e shqiptarëve në këtë marrëveshje, Ahmeti ka thënë se shqiptarët janë shtet-formues të Maqedonisë dhe se përfshirja e Marrëveshjes së Ohrit në Preambulë, sipas tij, e dëshmon këtë.
“Ne si parti politike shqiptare, vullnetin e fortë e kemi pasur që të mbyllet ky kontest dhe në veçanti BDI-së i ka rënë hise derisa ishte bartëse e politikave të Maqedonisë dhe shqiptarëve. Kemi pasur komunikim me të gjitha kancelaritë në Evropë. E kemi parë dhe ishim të bindur se ishte alternativë e vetme që ne të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së, apo e vendeve të përparuara e zhvilluara, si në aspektin demokratik, por edhe ekonomik. Mendoj se marrëveshja është bërë me vullnet të dyanshëm e jo të imponuar. Jemi dakorduar për këtë zgjidhje. Është kompromis dhe neve na ka siguruar Greqia që edhe atje shumë shpejt do të ratifikohet marrëveshja”, ka thënë ai në “KTV”.
Ahmeti ka folur për Gjykatën Speciale, që sot nisi punën me intervistimin e ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Mustafa.
“Nuk kam pa asnjë dokument të lëshuar që UÇK-ja ka dhënë urdhër, direktivë për të bërë akt të turpshëm, apo në kundërshtim me konventat ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Duke folur për dialogun Kosovë – Serbi dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes dy vendeve, Ahmeti ka thënë se çdo marrëveshje ka kompromise. Edhe kjo marrëveshje, sipas Ahmetit, do të kontribuojë në stabilitet të rajonit. “Jam i vetëdijshëm që problemi Kosovë-Serbi duhet të mbyllet. Uroj që të jenë bisedime të suksesshme sepse pa përmbyllje të këtij problemi sigurisht i tërë rajoni i Evropës Juglindore nuk është i qetë, nuk është në rrugë të mbarë drejt anëtarësimit në BE, drejt anëtarësimit në NATO, drejt të pasurit një Evropë Juglindore të paqes, stabile, sigurt. Ky problem kërkon zgjidhje përfundimtare. Do uroja që kjo çështje të zgjidhet dhe të respektohet vullneti i palëve. Tani është koha, sepse në hasmëri të përhershme s’mund të ecim përpara. Shohim se janë tërhequr nga komunat e veriut. Janë tërhequr zyrtarë të lartë. Serbia ka tërhequr terminalin doganor nga Presheva. Sigurisht që e gjithë kjo shkon në drejtim të kërkimit të sa më të shpejtë të zgjidhjes së drejtë të problemit. Kompromiset janë edhe të dhimbshme, por Kosova ka organet legjitime, qeverinë, presidencën, parlamentin”, u shpreh ai.