Ahmeti, Stoltenbergut: NATO-ja e ka shpëtuar Maqedoninë nga gremina
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka takuar të enjten sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe bashkëpunëtorët e tij nga aleanca veriatlantike.
Ahmeti në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkuar se i ka thënë Stoltenbergut se NATO-ja ka shpëtuar Maqedoninë nga gremina.
Postimi i plotë i Ahmetit:
Sot takova sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, z. Jens Stoltenberg dhe bashkëpunëtorët e tij nga aleanca veriatlantike.
U ndjeva i nderuar nga vlerësimi i sekretarit të përgjithshëm Stoltenberg për rolin tonë dhe kontributin në të gjitha proceset në vend.
Nuk kisha si mos të them se NATO ka pasur rol vendimtar në vend e rajon dhe ka shpëtuar Maqedoninë nga gremina duke kontribuar në paqen, sigurinë dhe stabilitetin, por edhe reformat dhe institucionet demokratike.
“Liria jonë nuk është e plotë pa NATO-n. Unë ju përcjell amanet gjeneratave të ardhshme që të janë falënderuese dhe vlerësuese ndaj NATO-s”.
E sigurova z. Stoltenberg që mbetemi përgjithmonë partner kredibil i NATO-s, ShBA-së, BE-së dhe që përpjekjet tona për rreshtim në aleancën veriatlantike nuk do të ndalen sepse ky është vullneti jonë kombëtar, strategjik, ideologjik.
Bashkë diskutuam edhe për gjeopolitika, rolin rus në Ballkanin Perëndimor, reformat dhe Marrëveshjen paqësore të Ohrit.
Në fund, ia dhurova mikut tonë përkrenaren e Skënderbeut duke e nderuar me rastin e 550-vjetorit të kryeheroit tonë.