Ahmeti takon ambasadoren e Finlandës, flasin për dialogun me Serbinë
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti është takuar me ambasadoren e Finlandës në Kosovës, Pia Stjernvall, me të cilën ka biseduar për zhvillimet politike në Kosovë, konkretisht për procesin e dialogut me Serbinë.
Përderisa ambasadorja finlandeze ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me mungesën e konsensusit të spektrit politik për dialogun, kryetari Ahmeti e ka njoftuar atë mbi propozimin e PSD-së për platformën e përbashkët të të gjitha subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës.
Ahmeti ka nënvizuar se presidenti Hashim Thaçi nuk ka legjitimitet për ta bartur procesin e dialogut me Serbinë, pasi sipas tij kjo përgjegjësi i takon Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Duke e falënderuar ndihmën përgjatë viteve të shtetit finlandez për Kosovën, Ahmeti kërkoi mbështetjen e Helsinkit zyrtar për liberalizimin e vizave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Më tutje, Ahmeti ka njoftuar ambasadoren finlandeze mbi parimet kryesore politike, ekonomike e sociale të Partisë Socialdemokrate; si dhe për konsolidimin e saj strukturor dhe organizativ.
Ndërsa ambasadorja Pia Stjernvall, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të Kosovës me Finlandën dhe gatishmërinë e saj për të kontribuar në zhvillimin e marrëdhënieve të mëtejme dypalëshe.
/Epoka e re/