Ahmeti takon zyrtarin e lartë amerikan, flasin për çështjen e emrit të Maqedonisë
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, është takuar me ushtruesin e zëvendësndihmëssekretarit të Shtetit, Matthew Palmer, me të cilin ka biseduar për negociatat që janë duke u zhvilluar në mes të Shkupit dhe Athinës për kontestin e emrit të Maqedonisë.
“Mbrëmë takova mysafirin e lartë nga Uashingtoni, Metthew Pallmer, u.d zëvendësndihmës i sekretarit të Shtetit. Bashkëbiseduam për negociatat midis Shkupit dhe Athinës si dhe mundësitë për mbylljen e kontestit me emrin në mënyrë që të zhbllokohen dyert e NATO-s dhe BE-së për Maqedoninë. E sigurova z. Pallmer që BDI-ja mbështet mbylljen e menjëhershme të çështjes dhe është kontribuuese në arritjen e kompromisit të pranueshëm nga të dyja palët”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ahmeti ka thënë se kompromisi i Maqedonisë për emrin nënkupton marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.
“Kompromisi i menjëhershëm na mundëson marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe marrjen e datës për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pikërisht integrimi euroatlantik i Maqedonisë është prioriteti ynë sepse garantohet paqja, stabiliteti dhe siguria, por edhe hapen perspektiva të reja dhe konkrete ekonomike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) mbështesin fuqimisht perspektivën euroatlantike të Maqedonisë dhe inkurajojnë tejkalimin e të gjitha pengesave në këtë rrugë”, ka shkruar Ahmeti.
/Epoka e re/