Ahmeti thotë se Greqia mund ta njohë Kosovën
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se Kosova ka shënuar sukses në diplomacinë e jashtme gjatë vitit 2023.
Sipas tij, angazhimi është i përditshëm për të siguruar njohje të reja dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, të cilat do të fuqizonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Ai ka përmendur Greqinë si mundësi që mund ta njohë Kosovën, pasi ka theksuar se raportet në mes të dy vendeve janë përafruar shumë.
“Është e qartë se njohjet e reja ka vite që tregojnë se nuk mund të vijnë në valë siç kanë ardhur menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, për arsye tashmë të ditura, pasi 117 vende veçse e kanë njohur Kosovës. Ka zhvillime në një numër të vendeve, veçmas të këtyre të Bashkimit Evropian, katër prej të cilave janë edhe anëtare të NATO-s. Duke prioritizuar këto sepse edhe synimet multilaterale kanë për prioritet BE-në dhe NATO-n. Me Greqinë kemi pasur zhvillimin më të theksuar, kur kemi ngritur statusin e zyrës sonë në Athinë nga një zyrë për çështje ekonomike në një zyrë për çështje të interesave për Kosovën”, ka thënë Ahmeti për “Kosovapress”.
Krahas kësaj, Ahmeti është shprehur optimist se në vitin 2024 do të ketë lëvizje pozitive sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.