Ahmeti, VLEN-it: Kthehuni në rrugën e dinjitetit dhe krenarisë

24 dhjetor 2024 | 13:48

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti sërish ka takuar qytetarët nga ku ka dërguar porosi deri te koalicioni qeverisës VMRO dhe VLEN.

Ahmeti ka ndaluar te marrëveshja e Ohrit duke bërë thirrje që e njëjta të mbrohet jo vetëm nga BDI-ja, por edhe nga VLEN-i, VMRO-ja dhe LSDM-ja.

Ai ka ftuar edhe votuesit e VLEN-it që t’i ndihmojnë përfaqësuesit dhe drejtuesit e koalicionit shqiptar në qeveri që të kthehen në rrugën e dinjitetit.

“Njerëzit tanë, vëllezërit tanë të bashkuar rreth VLEN-it të reflektojnë dhe ta mbrojnë kauzën kombëtare (Marrëveshjen e Ohrit), sepse është kauzë në respektim të gjeneratave të vjetra dhe që lindin pas nesh. Dhe jo, pavarësisht se i kam kundërshtar politik, nuk dua t’i shoh të turpëruar ata (VLEN) dhe ata që i kanë votuar. Dua të bëj thirrje si një njeri që ka luftuar dhe që e do krenarinë e kombit të vet. Të gjithë ata votues, le t’i ndihmojnë, le t’i inkurajojnë drejtuesit dhe përfaqësuesit e VLEN-it që të kthehen në rrugën e dinjitetit dhe të mbrojmë të gjithë bashkë krenarinë sepse marrëveshja e Ohrit nuk është marrëveshje që duhet ta mbrojë vetëm Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), vetëm Fronti për Evropë, por është vlerë që duhet mbrojtur nga të gjithë edhe nga VMRO-ja edhe nga LSDM-ja bashkë me koalicionin e tyre, aq më shumë nga ata që janë bashkuar rreth VLEN-it. Ne nuk duam përplasje, por ama nuk mund të heshtim pa e thënë të vërtetën – VMRO-ja ka traditë nga e kaluara për të rekrutuar argatë, hyzmeqarë. Por nuk kanë bërë mirë. Shtetet të cilat kanë bërë përzgjedhje të hyzmeqarëve, argatëve nuk kanë përparuar, nuk janë begatuar”, ka thënë Ahmeti. /TV21.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës, ka…