Ahmeti: Zhgënjyese – Prokuroria tentoi të ndërtojë narracion të ri për UÇK-në e LPK-në
Komentatori politik Arben Ahmeti i ka quajtur zhgënjyese pritjet ndaj Prokurorisë Speciale për pretendimet ndaj katërshës së UÇK-së që po akuzohen nga ZPS-ja.
Ahmeti në studion e improvizuar të Politikos në Hagë, tha se Prokuroria Speciale nuk tha asnjë pretendim të ri, përveç disa përpjekjeve për të ndërtuar një narracion që e bën UÇK-në trashëgimtare të LPK-së, dhe këtë të fundit lëvizje problematike, shkruan Gazeta10.
“Është zhgënjyese, ne i kemi humbur 12 vite diskutime, shpenzim i energjisë e i parave të taksapaguesve evropian, e të shohësh një Prokurori pas këtyre viteve të vie me një prezantim të tillë, ishte më pak se çdo pritje e pesimisti. Askush s’ka qenë kaq pesimist për këto pritje, sa ishte rezultati. S’pamë asgjë të re.”, deklaroi Ahmeti në Politiko.
Ahmeti theksoi se Prokuroria në seancën e parë gjyqësore tentoi të argumentojë “prova materiale” që ishin diskutuar nëpër studio televizive se ish-krerët e akuzuar janë të fajshëm.
“Arrita me kuptu se çfarë pretendonte të bënte Prokuroria, duke provuar të hidhte të gjitha shigjetat në drejtim të ish-presidentit Thaçi, duke u munduar ta dëshmojë një lloj inskenimi të Thacit mprapa të gjitha organizimeve.”, tha tutje Ahmeti.