Ahmeti zotohet për tejkalimin e premtimit për ndërtimin e çerdheve në kryeqytet
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë me dije se këtë vit do të hapen edhe disa çerdhe në kryeqytet.
Ai ka thënë se kjo komunë i ka 15 çerdhe publike me kosto të përballueshme.
Në këtë kontekst, Ahmeti ka thënë se do ta tejkalojnë premtimin e dhënë për ndërtimin e çerdheve në Prishtinë. “Prej vitit 2014 kemi hapur këto çerdhe të reja publike, me bazë në komunitet: Mat, Hajvali, Sofali, Arbëri, Besi, dhe Kodra e Trimave. Sivjet hapen edhe në Tophane, Kalabri, si dhe hapet edhe çerdhja e rindërtuar ‘Yllkat’, të blloku me kapacitet të dyfishuar për të vazhduar në Kolovicë, Bardhosh e Dardani (Çerdhe e re). Tanimë do ta shtojmë fokusin në investimet në çerdhet e vjetra të komunës. Me këtë Komuna e Prishtinës i ka mbi 15 çerdhe publike me kosto të përballueshme”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka shtuar se pa kujdes cilësor me kosto të përballueshme nuk ka as zhvillim. “Në këtë mandat kemi premtuar katër çerdhe të reja e si duket deri në fund këtë premtim do ta tejkalojmë dyfish”, ka theksuar Ahmeti.
Komuna e Prishtinës në fillim të kësaj jave ka hapur çerdhen “Milingonat” në lagjen “Kodra e Trimave” për 200 fëmijë të kësaj lagjeje.
/Epoka e re/