
“Ai bën gjithçka për të mbrojtur postin”, Imamoglu sulmon Erodganin nga salla e gjyqit. Mbi 5000 policë rrethojnë gjykatën
Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu ka mohuar akuzat për terrorizëm kundër tij, sipas një dokumenti gjyqësor të parë nga Reuters të mërkurën, pas arrestimit të tij më 19 mars, me akuza të dyshuara për korrupsion dhe terrorizëm.
“Unë shoh sot gjatë marrjes në pyetje se unë dhe kolegët e mi po përballemi me akuza dhe shpifje të paimagjinueshme”, ka thënë Imamoglu gjatë marrjes në pyetje në departamentin e antiterrorizmit të policisë, sipas dokumentit në fjalë.
Imamoglu është një figurë e shquar e opozitës dhe parashikohej të ishte sfiduesi i mundshëm i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan në zgjedhjet e ardhshme, ndaj këtij të fundit i është drejtuar indirekt në deklaratën e tij para hetuesve.
“Këto shpifje do të kthehen pasi të godasin murin në zemrën e kombit tonë. Është e domosdoshme që vendi ynë të heqë qafe këtë mentalitet sa më shpejt të jetë e mundur, ai (dikush) mendon se ka të drejtë të bëjë gjithçka për të mbrojtur pozicionin (e tij)”, thotë Imamoglu, në një referencë për Erdogan.
Ndërkohë, atmosfera është tensionuar jashtë gjykatës së Stambollit, aty ku mijëra mbështetës të Ekrem Imamoglu janë mbledhur dhe po brohorasin në mbështetje të kryebashkiakut të Stambollit, i cili doli sot për herë të parë para togave të zeza pasi u arrestua nën akuzat për terrorizëm.
Pavarësisht ndalimit të tubimeve, i cili u zgjat deri më 27 mars, mbështetësit e Imamoglus po qëndrojnë jashtë gjykatës, ndërsa procedurat me 34 hetuesit dhe 91 të pandehurit (përfshi Imamoglun) pritet të zgjasin gjithë natën.
Forcat e policisë e kanë kthyer pallatin e drejtësisë në një fortesë pasi janë përforcuar me 5000 kolegë të tyre nga krahina të tjera të vendit, për të ruajtur qetësinë dhe rendin.
Imamoglu, i cili u arrestua të mërkurën për “korrupsion” dhe “mbështetje të një organizate terroriste”, mbërriti në Gjykatën e Caglayan në Stamboll pasditen e sotme për t’u paraqitur para prokurorit, i cili do të vendosë për vazhdimin ose jo të masës së paraburgimit të kryebashkiakut, i cili është kundërshtari kryesor i presidentit turk Rexhep Taip Erdogan.
Kryebashkiaku i Stambollit i ka quajtur akuzat “imorale dhe të pabaza” në polici, sipas një deklarate të lëshuar sot nga bashkia e qytetit turk.
Ndërkohë, indeksi i Bursës së Stambollit ra më shumë se 16.5% këtë javë, një rënie e pa parë që nga viti 2008, sipas analistëve.
Kryebashkiaku shprehet se “ndjen fuqinë e miliona njerëzve” që e mbështesin. “Sido që të ndodhë, do të luftoj për drejtësinë dhe të vërtetën me mjete ligjore deri në fund të jetës sime”, deklaroi ai.