Programimi mund të duket sfidues për ata që nuk kanë përvojë paraprake: “gjuhë” e pakuptueshme që kryesisht e lexojnë makinat llogaritëse, por sipas ungjilltarëve më të zjarrtë të AI-së kjo tashmë nuk e paraqet asnjë pengesë. Pse të shqetësohemi që ta përqendrojmë pa nevojë mendjen rreth folësit të ngatërruar që kërkon të shfaqësh tekstin e bardhë në një sfond të zi, kur thjesht mund t’ia kërkojmë një çetboti ta bëjë këtë në terma të thjeshtë dhe ai do të na shërbejë menjëherë me programin e plotësuar me udhëzime?
Duke luajtur me çetbotët e ndryshëm, do të shihni se AI-ja ende bën një numër të madh gabimesh – të cilat njohuritë e punës në program ju ndihmojnë t’i korrigjoni – por, ju gjithashtu mund t’i diskutoni këto me AI-në që ai do të përpiqet t’i zgjidhë ato për ju. Nuk është e vështirë të parashikohet një e ardhme jo shumë e largët, kur ato mund t’i dallojnë nevojat e përdoruesve dhe të vazhdojnë me ta përmes zgjidhjeve, në rolin e një zhvilluesi njerëzor që tani po duket se po i dorëzohet historisë.
Është normale t’i nënshtrohesh fatalizmit rreth vjedhjes së punës nga AI-ja. Nxitësit më të zëshëm të teknologjisë janë vetë më të eturit për ta kultivuar këtë, duke na inkurajuar t’i dorëzohemi agut të ri robotik, ku përkushtimi ndaj kohës për të mësuar aftësi, për të kryer detyra ose për të ditur çdo gjë, mund të konsiderohet gjithashtu si gjë e së kaluarës. Por, në thelb e ngatërron aftësinë për të pasur qasje.
Çetbotët AI-së nuk i kanë thyer disa fshehtësi rreth programimit. Thjesht, ato kanë tretur një sasi të madhe burimesh dhe materialesh nga burimet e hapura, që tashmë janë vënë falas në dispozicion në internet, për të mësuar nga qeniet njerëzore. Një përdorues mund të përpiqet ta kalojë këtë fazë duke kaluar në zotërimin e kësaj njohurie nga një çetbot, por duke e bërë këtë nuk ia del të kuptojë se çfarë vendimesh merr makina në emër të tij, pse po i merr ato, nëse ishin të mirë dhe, më e rëndësishmja, çfarë tjetër ishte e mundur.
Një nga aspektet më të këndshme të zhvillimit dhe dizajnit të uebit është mendimi anësor. Rrallëherë ekziston një mënyrë e saktë objektive dhe e vetme për të arritur diçka. Duhet të merrni parasysh të gjitha kontekstet e ndryshme që një përdorues do t’i hasë në faqen tënde, si dëshironi që ata të ndërveprojnë me të, çfarë dëshironi të nxirrni nga to, nëse ajo që keni bërë do ta bëjë telefonin e tyre të nxehet shpejtë dhe të shpërthejë duke e vrarë në çast, e kështu me radhë. Makina e trajnuar për të grumbulluar dhe kondensuar të gjithë rrjetin në format e saj më të parashikueshme, nuk mendon kështu, dhe asnjë përdorues nuk e mbështetet një të tillë.
Kam pasur fatin ta krijoj një praktikë duke punuar në projektet ku jam punësuar, jo vetëm sepse posedoj njohuri për programimin të cilin klienti nuk e ka, as për idetë e mia krijuese, por për kombinimin e të dyjave dhe mënyrën se si ato informojnë njëra-tjetrën. Përveçse kam qenë i frytshëm profesionalisht për të mësuar programimin, gjithashtu – për fat të keq, duke pasur parasysh mënyrën se si u frikësova nga ajo – në fakt … më pëlqen? Nxitja kur mendon se një ide funksionon në mënyrën që dukej e pamundur, nuk krahasohet me asgjë tjetër. Në mënyrë jo ironike mendoj dhe them gjërat e të tilla si: “Besoj në aftësinë e shfletuesit për të qenë medium kreativ dhe inovativ”. Ka projekte që dua të bëj, pavarësisht nëse dikush më paguan apo jo.
Dhe, derisa AI-ja mund të zvogëlojë disa aspekte të mundësive të mia për pagesë, nuk do të kem mendim kaq të ulët për zanatin tim, sa të mendoj se në thelb është njësoj si të shtypësh një komandë në një kuti çetboti. Askush nuk duhet.
Megjithatë, ka një përpjekje të bashkërenduar nga ana e Luginës së Silikonit, për të na bërë të besojmë se mendja njerëzore është e parashikueshme, e riprodhueshme dhe e pa sofistikuar dhe se artet dhe sektorët shtesë mund të reduktohen në një sërë ekuacionesh dhe fjalësh kyçe, sepse ata i kanë shpenzuar miliardat duke i krijuar makinat që tani mund të tejkalojnë mundimet për të krijuar.
I pyetur për rastet e përdorimit të mundshëm të AI-së, bashkëthemeluesi i OpenAI-së (krijuesi i ChatGPT-së), Greg Brockman, dha një parashikim për atë që ai e shihte si të ardhmen e argëtimit. “Njerëzit janë ende të mërzitur për sezonin e fundit të Game of Thrones, por paramendoni nëse mund t’ia kërkoni AI-së të bëjë një përfundim të ri që shkon ndryshe dhe ndoshta edhe ta vendosni veten si personazh kryesor”.
Aftësia e njerëzve për ta bërë këtë ka ekzistuar që nga kohërat e lashta, brenda kokës së tyre. Flet për një pakicë të tillë imagjinate, nga ana e eksponentëve të AI-së, saqë ata po na kërkojnë të imagjinojmë kur veçse kemi imagjinatë.
Reagimi më i madh rreth potencialit të AI vjen nga ata që e shohin si mjet interesant për uljen e kostove, gjë që mund të lejojë që kapitali më në fund të çlirohet nga kundërshtari i vjetër – puna. Është absurde të sugjerosh se ka mbaruar prodhimi kolektiv kulturor i njerëzimit, se është futur në shishe dhe është mbyllur në këtë pikë specifike të historisë, se të gjitha ato ishin thjesht ushqim dhe pika të dhënash për trajnimin e modeleve të AI-s që tash e tutje do ta marrin kontrollin dhe meritën.
Gëlltitja e çdo vepre arti në një makinë që i zbërthen ato pa dashuri, deri në një rezultat mesatar të përafërt, nuk është shprehje artistike. Mund të jetë një truk, një risi zbavitëse, por AI-ja është në gjendje të prodhojë vetëm rezultate gjysmë bindëse të krijimeve tona, pikërisht sepse njerëzit e vërtetë dhe aktualë dikur e kishin mendimin, aftësinë dhe vullnetin për t’i krijuar ato.
Spektri i inteligjencës artificiale do të paraqes kërcënim dhe strehë nga ata që e shohin pasionin krijues vetëm si vlerë përfitimi, por e kanë gabim. Makina nuk e ka aftësinë për t’u vetëshprehur, nuk ka shtrëngesa për të komunikuar: ky isha unë, kështu u ndjeva dhe kjo është ajo që unë mbroj. Ne po, dhe në të gjitha përpjekjet tona duhet të fillojmë t’i refuzojmë përpjekjet që na shtyjnë të harrojmë se sa i vlefshëm është njerëzimi ynë. /Telegrafi/